Transmetuar më 02-03-2024, 13:06

Një grup besimtarësh myslimanë janë mbledhur në shenjë proteste para Medresë së Tiranës ku po mbahen zgjedhjet për kreun e Komunitet Mysliman të Shqipërisë.

Ata i konsiderojnë këto zgjedhje si një “teatër të orkestruar”, ndërsa sipas tyre Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i kapur nga njerëzit e Fet’hullah Gylenit, ose siç e konsiderojnë ata, organizata FETO. Me pankarta në duar, besmitarët myslimanë bëjnë thirrje që gylenistët të largohen nga KMSH-ja.

“Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”, “FETO Leave Albanian Islam Alone”, “Legjitimitet për KMSH-në”, “Gylenistë ne nuk iu duam”, janë disa prej pankartave që mbajnë ata në duar.

Zgjedhjet e sotme për kreun e KMSH-së mbahen pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur më 02 mars të vitit 2019. Tre kandidatët në garë për kreun e KMSH-së janë kreu aktual Bujar Spahiu, administratori i myftinisë së Durrësit Aduard Shefki, si dhe myftiu i Breatit Emirjon Vathaj.

Këto zgjedhje mbahen mes akuzave dhe polemikave se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i kapur nga njerëzit e Fet’hullah Gylenit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, prej vitesh po i kërkon kryeministrit Edi Rama “pastrimin e mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Këtë kërkesa ia përsëriti edhe në vizitën e fundit zyrtare në Ankara më 20 Shkurt.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit