Transmetuar më 01-03-2024, 13:02

DURRËS- Hetimet mbi vrasjen që tronditi mbarë opinionin publik vazhdojnë. Ditën e sotme është marrë në pyetje vajza e madhe e familjes së Pëllumb Metës, i cili u vra dhe gropos në kasollen e bagëtive nga tre fëmijët e tij.

Bedra Meta, e martuar, ka qëndruar me një linjë me deklaratat e pjesëtareve të familjes së saj lidhur me sherret e herëpashershme në familjen e tyre, ndërsa ka deklaruar se babai i tij ishte autoritar dhe se çdo gjë në familje bëhej siç thoshte ai. Ajo është shprehur se nuk ka ditur asgjë për vrasjen e babait nga vëllezërit dhe motra e saj dhe e ka marrë vesh këtë kur ngjarja është bërë publike. Momentalisht ajo po qëndron te shtëpia e gjyshërve të saj ku gjendet dhe e ëma, në Gjorm të Laçit.

Ndërkohë lidhur me vazhdimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, bëhet e ditur se pritet të vijnë rezultatet e ekspertizës balistike nga laboratori shkencor në Tiranë për armën e krimit. Ajo është një pistoletë mod-54 ose siç njihet ndryshe TT.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se përveç intervistave të kryera deri më tani, ku janë dokumentuar ato të familjarëve të viktimës (dy djemve, dy vajzave, bashkëshortes dhe 3 pjesëtareve të familjes Qatja që kërkonin të bënin shkesi me Metët) do të kryhen edhe disa veprime të tjera praktike për ta plotësuar dosjen hetimore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit