Transmetuar më 17-02-2024, 08:52

Është saktësuar identiteti dhe fotografia e shqiptarit të arrestuar në Bolivi, në kuadër të një operacioni të madh ku ra në pranga edhe i shumëkërkuari nga Brazili, Lourival Máximo da Fonseca. Sipas Ministrisë së Brendshme në Bolivi, shqiptari i arrestuar është Lorenc Hyseni.

Gjithçka nisi me hetimin e ngarkesës më të madhe të kokainës së kapur në Oruro-Bolivi pak muaj më parë, 8.7 ton, e cila bëri që autoritetet të alarmonim vendet fqinje dhe të gjenim ngarkesa të ngjashme në Peru dhe vendet evropiane. Hetimi tregoi se origjina më e mundshme e këtyre ngarkesave erdhi nga rajoni Chiquitania në Santa Cruz .

Mirëpo, pas disa operacioneve dhe pas vrasjes së dy personave të ndodhura gjatë karnavaleve, Forcat e policisë hynë në komunat e San Rafael, San Miguel dhe San Ignacio, duke kapur përfundimisht Lourival Máximo da Fonseca, i cili kishte shumë identitete në Brazil dhe Paraguaj. Po kështu, në Bolivi ai kishte një identitet të rremë që e kishte marrë në vitin 2016. Për Ministrin e Brendshëm të Bolivisë, Eduardo del Castillo, Fonseca nuk është thjesht një “peshk i madh” por një “balenë” e trafikut të drogës.

Bashkë me Fonsecan, kanë rënë në pranga edhe shqiptari Lorenc Hyseni si dhe Ëalter Rivero Lola nga Bolivia, Leonardo Barsad Da Rocha nga Brazili, Alvaro Roca Casupa nga Bolivia, Joao Batista Da Silva Carneiro nga Brazili dhe Jacop Dick Peter nga Bolivia.

Gjatë arrestimit të tyre pati shkëmbim zjarri me forcat speciale boliviane, fatmirësisht pa të lënduar. Pas ndërhyrjes policore, janë gjetur armatime dhe sende të tjera.

“Z. Fonseca do të transferohet menjëherë në Brazil, duke qenë se dihet identiteti i vërtetë i këtij shtetasi me kombësi braziliane ndërsa shtetasit e tjerë me kombësi shqiptare e braziliane, fillimisht do të përmbushin sanksionin përkatës brenda territorit kombëtar për krime të posedimit dhe mbajtjes së armëve, tentativë vrasjeje kundër anëtarëve të Policisë Boliviane dhe për legjitimim të fitimeve të paligjshme”, siguroi Ministri i Brendshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd