Transmetuar më 12-02-2024, 14:43

Xhaferi tha se ndërhyrjet nga jashtë janë të shumta, ndërsa theksoi se janë tendencë kundër BDI-së dhe kanë për qëllim të dëmtojnë shqiptarët në Maqedoni.

“Fakti i ndërhyrjeve nuk mund të përkufizohet vetëm te Vuçiçi, fatkeqësisht ka mjaft ndërhyrje siç mund ta përcillni nga mediat. Është tendencë e koordinuar kundër BDI-së, por jam i bindur që qytetarët mund t’i definojnë qartë këto elemente dhe kjo është propagandë gjoja kundër BDI-së, por në esencë është kundër arritshmërive të shqiptarëve si popull këtu. Ajo që propagandohet se gjoja po na dilka zot Vuçiçi, mendoj se e kanë të qartë edhe fëmijët në djep se cili është qëllimi i fundit i kësaj përpjekje”, tha Xhaferi. Kujtojmë se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në të cilën u diskutua për situatën në Kosovë pas ndalimit të dinarit serb, Aleksandar Vuçiç në një deklaratë për mediat amerikane foli për kryeministrin Albin Kurti, ndërsa tha se ai po ndërhyn në politikën e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Sipas Vuçiçit, Kurti dëshiron ta rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin dhe BDI-në. Kjo deklaratë e tij shkaktoi reagim të madh nga partitë politike opozitare shqiptare në RMV, të cilat theksuan se “Vuçiçi ka dalë në mbrojtje të Ali Ahmetit dhe BDI-së”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd