Transmetuar më 09-02-2024, 23:13

Vazhdon ende seanca maratonë për shkarkimin e dy ministrave shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu.

Pavarësisht se salla e Kuvendit është gati e zbrazët, nga foltorja flasin deputetët e VMRO-së të cilët thanë që ministri Mexhiti dhe Aliu janë “kurban” të rradhës të BDI-së.

Vërejtjet dhe akuzat e deputetëve u drejtuan nga kryeministri teknik Talat Xhaferi të cilin e akuzuan se me urdhër të Artan Grubit, ka marrë vendim për shkarkimin e ministrave, pavarësisht suksesit të tyre në ministritë përkatëse.

Pas përçarjeve brenda partiake që ndodhën këtë javë me partinë Aleanca për Shqiptarët, ministri Mexhiti dhe Aliu mbështetën kryetarin Taravari që ASh-ja t’i bashkohet bllokut opozitar.

Në sallë nga deputet shqiptarë vetëm Halil Snopçe ka marrë fjalën këto orët e fundit, i cili u ka dalë në mbrojtje ministrave,

Përplasjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas një takimi në Prishtinë të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë edhe zoti Taravari, partia e të cilit vazhdon të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Shkup. Pak ditë pas këtij takimi zoti Taravari e njoftoi vendimin në Facebook për bashkim me opozitën.

Përplasjet e thelluan edhe më tepër në mes drejtuesve dhe eksponentëve të lartë të partisë, ndërsa u njoftua edhe për një incident fizik në mes aktivistëve të saj. Më pas, në oborrin e shtëpisë së Arben Taravrit u gjet një plumb, si mesazh kërcënues për jetën e tij, ndërsa autoritetet e rendit nuk e kanë zbuluar ende autorin e kësaj vepre.

Sidoqoftë, përçarjet brenda Aleancës për Shqiptarët duket se do ta dëmtojnë vetë partinë dhe sipas një pjese të analistëve ajo mund të shkojë drejt shuarjes. ASH-ja aktualisht është partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pas BDI-së.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd