Transmetuar më 29-01-2024, 12:27

SHKUP- Talat Xhaferi ka marrë sot detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, e cila iu dorëzua nga ryeministri në largim, Dimitar Kovaçevski. Pas takimit për marrjen e detyrës, Koveçevski dhe Xhaferi kanë mbajtur deklaratë për mediat.

Gjatë fjalës së tij, Xhaferi deklaroi se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza, mbi të cilat do të mbështesë çdo vendim që do të marrë në qeveri. Si prioritet primar i qeverisë, ai tha se nën drejtimin e tij do të jetë mbajtja, avancimi i partneritetit strategjik të RMV-së me NATO, BE dhe SHBA.

"Sapo përfunduam takimin tetë a tetë me Kovaçevskin për të bërë pranim-dorëzimin e detyrës së kryeministrit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me Kovaçevskin, pajtuam për çështjen primare që do të jetë në fokusin e qeverisë. Shpreha kënaqësi dhe përgjegjësi për detyrën që mora përsipër duke përsëritur dhe atë që thashë dhe dje, kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do të mbështes çdo vendim që do të marrim si qeveri.

Duke qenë se jemi në koalicionin qeveritar që punon dhe me programin e zgjedhuar të punës, natyrisht që qeveria që do të udhëheq unë, do vazhdojë me zbatimin e plotë, efikas për politikat e pranuara në këtë program. Detyra primare është përgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike – Presidenciale më 24 Prill dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 Maj 2024 dhe për këtë qeveria ka një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore dhe në bashkëpunim me Kuvendin, me OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA. Do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale dhe operative për zbatimin e vullnetit të qytetarëve duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane që të zhvillohen zgjedhje me legjitimitet të plotë dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve.

Mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të RMV-së me NATO, BE dhe SHBA, si qëllime strategjike, mbeten prioritet primar i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Besnik ndaj politikës së jashtme të sigurisë së BE-së, nuk ka alternativë tjetër. Përshpejtimi i rritjes dhe zhvillimit ekonomik për të mbështetur prioritetet sociale, fokus. Plani i rritjes, si pjesë e pakos së Komisonit Europian, do të ketë vëmendjen e plotë të qeverisë. Pa marrë parasysh se sa do të zgjasë kjo qeveri, nuk do të mungojnë bashkëpunimi institucional, çdo digaster efikas në shërbim të qytetarëve. Ka një gjë që nuk ndryshon kurrë, ne të gjithë jemi aty për të ruajtur interesat tuaja.", tha ai.

Talat Xhaferi është shqiptari i parë që mban postin e kryeministrit në Maqedonin e Veriut, duke e bërë ditën e djeshme ditë historike për të gjithë shqiptarët.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd