Transmetuar më 29-01-2024, 08:00

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut zgjodhi dje Qeverinë e re, kalimtare, e cila në periudhën e ardhshme duhet të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Bëhet fjalë për qeveri teknike, e cila parashihet me Ligjin për zgjedhjet dhe si detyrë kryesore ka organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe opozita maqedonase me dy ministra dhe tri poste të zëvendësministrave.

Pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit në largim Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit të ri Talat Xhaferi do të bëhet në orën 10:00, ndërsa më pas do të mbahet një konferencë për media.

Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, me mandat 100 ditor, u votua dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.

Kjo qeveri do të përgatisë zgjedhjet e majit 2024 dhe parashihet të qëndrojë deri në 45 ditë pas procesit elektoral, raporton noa.al.

Kjo qeveri ka 19 ministra ndër të cilët 10 janë shqiptarë.

Qeveria e re kalimtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut përbëhet nga: 

Talat Xhaferi, Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Slavjanka Petrovska, ministre e cila do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes,

Pançe Toshkovski, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme,

Krenar Loga, ministri që do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë,

Artan Grubi, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare,

Bujar Osmani, ministri i cili do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Jashtme,

Fatmir Besimi, ministri që do të menaxhojë Ministrinë e Financave,

Kreshnik Bekteshi, ministër që do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë,

Ljupço Nikolovski, ministër i cili do të menaxhojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave,

Fatmir Majiti, ministri që do të menaxhojë Ministrinë e Shëndetësisë,

Jeton Shaqiri, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës,

Gjoko Velkovski, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale,

Risto Penov, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale,

Bisera Kostadinovska – Stojçevska, ministre e cila do ta drejtojë Ministrinë e Kulturës,

Azir Aliu, ministër i cili do të menaxhojë Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës,

Blagoj Bochvarski, ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve,

Kaja Shukova, ministre e cila do të menaxhojë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,

Bojan Mariçiç, ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet evropiane,

Fatmir Bitiqi, ministër pa departament përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve,

Sllavica Grkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat për qeverisje të mirë.

Kryeministri i ri Talat Xhaferi, ishte nga viti 2017 e deri dje kryetar i Parlamentit. Më herët ai ishte ministër Mbrojtjeje dhe që nga 2002 deputet i BDI. Në 2001 ai u vu në krye të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) që u themelua kur në Maqedoni shpërthyen trazira për shkak të shtypjes së të drejtave të shqiptarëve nga ish kryeministri Nikola Gruevski dhe kabineti i tij.

Në prezantimin e tij Talat Xhaferi tha se prioritet i parë i qeverisë kalimtare do të jetë mbajtja e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare në mënyrë të drejtë dhe demokratike.

Ai tha se megjithatë qeveria do të punojë njëkohësisht për të qenë një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Maqedoni. 

Njëkohësisht ai ka treguar se kjo Qeveri është vazhdimësi e Qeverisë së kaluar që ka punuar me Programin e miratuar të Punës së Qeverisë 2022-2024 dhe se përbërja e re e Qeverisë është e përkushtuar që të vazhdojë me zbatimin e plotë, efikas dhe të suksesshëm të politikave të miratuara nga qeveria e kaluar.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mandat që t’i realizojë prioritetet e theksuara bazuar në përcaktimet strategjike të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe konsensuale për integrim të plotë dhe të përshpejtuar dhe anëtarësim të plotë të shtetit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030; 

për funksionim dhe kontribut të suksesshëm në sigurinë kolektive të përbashkët shtetërore, rajonale dhe evropiane në kuadër të Bashkimit të NATO-s; 

për zbatimin efektiv të politikave të suksesshme për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve dhe përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik përmes treguesve të qartë në vitin 2024, si dhe vazhdimin e plotë të politikave, instrumenteve dhe vendimeve të suksesshme për mbështetjen sociale, shëndetësore, arsimore, nevojat dhe prioritetet kulturore dhe civile të të gjithë qytetarëve”, tha kryetari i sapozgjedhur i qeverisë kalimtare, Talat Xhaferi.

Megjithatë qeveria e re nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara.

Të gjitha aktet e kompetencave udhëheqëse duhet të nënshkruhen nga zëvendësi plotësues, përkatësisht zyrtari udhëheqës-plotësues. Nëse akti nënshkruhet vetëm nga një person, konsiderohet se ai nuk ka fuqi juridike dhe nuk mund të ekzekutohet.

Shqiptarët nuk figurojnë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë dhe sërish në vendin fqinjë shqiptarët konsiderohen minoritet në masën 20 për qind, ndonëse shumë thonë se janë midis 37 deri 40 për qind.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd