Transmetuar më 28-01-2024, 23:18

Ish drejtori i Agjencisë serbe të zbulimit, Aleksandar Vulin, është dekoruar nga drejtori i i Shërbimit Federal rus të Sigurisë, Aleksandar Bortnikov, për siç është thënë “profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontributin për bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse”.

Aleksandar Vulin i cili ishte drejtor i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion e njohur si BIA deri në nëntor të vitit të kaluar, drejton partinë serbe Lëvizja Socialiste dhe prej kohësh është partner i koalicionit qeverisës të drejtuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar ai dha dorëheqje, katër muaj pasi u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.

Pas dorëheqjes ai u emërua senator në Republikën Serbe nga presidenti i atij entiteti në Bosnjë, Milorad Dodik.

Nuk pati ndonjë koment nga autoritete serbë për dekorimin e tij nga Moska, por Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, një organizatë politike në Serbi, tha se me dekorimin “iu dha fund dyshimit se i ashtuquajturi neutralitet ushtarak është në fakt vetëm një mbulesë për ndikimin e butë të Rusisë në këto rajone”.

Zyrtari i kësaj lëvizjeje Aris Movsesijan tha se Serbia duhet të distancohet nga “dekorim i Vulinit” nëse “vazhdon rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe krijon politikën e saj të jashtme në atë drejtim”.

Aleksandar Vulin, ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët, para se të bëhej drejtorit Agjencisë serbe të zbulimit në vitin 2022.

Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht të vitit 2022, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.

Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po shmanget nga rruga e saj drejt BE-së duke u orientuar drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, si dhe Kinës.

Aleksandar Vulin ka thënë se Serbia duhet të braktisë përpjekjet e saj të anëtarësimit në BE dhe t’i drejtohet Moskës, duke i sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe duke i quajtur me emra përçmues. Atij i është ndaluar hyrja në Kroaci, anëtare e BE-së.

Ai e ka mbrojtur krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Vuçiç.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd