Transmetuar më 28-01-2024, 20:53

Ishte goxha e moshuar për të përballuar një faturë të tillë, aq të lartë. Plot 15,339 euro. Për dritat e shtëpisë ku banonte, në Sanremo të Italisë.

Gruaja 88 vjeçare Caterina Giovinazzo, u shokua, shëndeti i saj u përkeqësua befas dhe përfundoi në spital ku pak minuta më pas, vdiq.

Por fatura që erdhi aq e majme, në fakt ishte vetëm një gabim fatal nga kompania e shitjes së energjisë.

Fatura i përkiste periudhës 3 mujore gusht, shtator, tetor 2023 dhe u dërgua në nëntor te banesa, me afat pagese në dhjetor. Kjo faturë u pagua automatikisht nga llogaria bankare e të ndjerës e cila bënte pagesat periodike përmes bankës.

Dhe, kur mësoi gjithë këtë, e moshuara u sëmur dhe ndërroi jetë pak minuta më pas.

Familja e 88-vjeçares, këto ditë kërkon sqarim për këtë çështje që i mori jetën nënës së tyre për Krishtlindje.

Ata tregojnë se Caterina u ndje keq pak pasi nusja e djalit i tregoi të dhënat e faturës. Më pas është konstatuar se konsumi i shtëpisë së të moshuarës ishte vetëm 55 euro.

“Me shqetësim të madh mësojmë për historinë dramatike të lidhur me gabimin në faturën që çoi në sëmundjen dhe më pas vdekjen e Caterina Giovinazzo, pensioniste 88-vjeçare nga Camporosso. Dërgimi i një fature prej 15 mijë eurosh për një të moshuar, që realisht duhet të ishte 55 euro, nuk mund të klasifikohet thjesht si një gabim”. Kështu tha publikisht zëdhënësi i Green Europe dhe deputeti i Avs, Angelo Bonelli.

“Institucionet kanë për detyrë, përpara se të dërgojnë faturat në shtëpitë e familjeve, të kontrollojnë për gabime sepse këto mund të kenë pasoja të rënda dhe fatale për jetën e njerëzve.

Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe për këtë arsye i kërkoj qeverisë, të verifikojë sjelljen e institucionit dhe që mekanizmat që rregullojnë emetimin e faturave dhe proceset automatike të debitimit të rishikohen duke korrigjuar menjëherë gabimet financiare në llogaritë e qytetarëve. Është e udhës të kujtojmë se familjet italiane kanë paguar fatura të dyfishta, të cilat kanë lejuar miliarda euro fitime ekstra për kompanitë energjetike dhe shërbimeve të tjera”, përfundoi ai. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd