Transmetuar më 28-01-2024, 13:13

Politikani shqiptar, Talat Xhaferi, i cili së shpejti pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është duke e mbajtur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë.

“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Xhaferi.

“Edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare që prioritet do ta ketë mbajtjen e zgjedhjeve, për mua si mandatar i kësaj qeverie nuk ka dallim nëse është fjala për 1 ose 100 ditë. Unë ketë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë të jetës sime politike dhe profesionale”, ka shtuar ai.

Ai i ka siguruar të gjithë qytetarët që në asnjë qast nuk do të lejojë që të devijohet roli i institutit profesional.

“Duke e marrë parasysh se kjo qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, unë dhe qeveria obligohemi të vazhdojmë me zbatimin e plotë edhe të politikave të pranuara”, është shprehur Talat Xhaferi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd