Transmetuar më 27-01-2024, 19:32

Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje historike që për herë të parë Maqedonia e Veriut do të ketë një Kryeministër shqiptar, edhe pse për pak kohë me mandatin e një qeverie tranzitore.

Dhe këtë meritë, kreu i qeverisë shqiptare ia atribuon Ali Ahmetit, për të cilin thotë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Rama e vlerëson si një leksion historik ndaj të gjithëve dhe brezave të ardhshëm, sjelljen e Ali Ahmetit në politikën maqedonase për të drejtat e shqiptarëve në atë shtet.

“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet. Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë! E duke parë foton bashkëngjitur të një momenti historik në rrugën e bashkësisë shqiptare, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”, shkruar Rama në rrjetet sociale.

Talat Xhaferi pritet që nesër të votohet si kryeministër i Maqedonisë së Veriut sipas një marrëveshje të bërë më herët mes partisë shqiptare BDI të Ali Ahmetit dhe partisë maqedonase LSDM, të cilat janë në koalicion së bashku.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd