Transmetuar më 26-01-2024, 21:51

Përgjimet në “SKY ECC”, kanë zbuluar një grup kriminal në Maqedoninë e Veriut.

Goditja e grupit ka sjellë zbulimin e një sërë ngjarjesh kriminale, mes tyre edhe vrasjen e shqiptarit Shyqyri Beu, në 2020 në Shkup.

“Sky ECC” trondit botën e krimit në Shkup, goditet banda e drogës, anëtarët akuzohen edhe për vrasjen e shqiptarit Shyqyri Beu në 2020 Kreu i grupit kriminal është Sheval Muaremi, nga fshati Gërcec i cili, nga mediat maqedonase njihet si “bosi i Gërçecit”.

Por kush ishte Shyqyri Beu, i cili njihej në Kryevidh të Kavajës si “Riku Beu”.

Prej muajit mars 2020 Shyqyri Beu, babai i një fëmijë ishte zhdukur pa adresë. Ka qenë bashkëshortja e tij që ka shkuar në ambientet e policisë së Kavajës, ku ka deklaruar largimin e bashkëshortit të saj nga banesa dhe nuk dinte vendodhjen e tij.

Prokuroria e Kavajës, prej datës 10 prill 2020 kishte nisur një procedim për akuzën e “Largimit nga banesa”, kjo pasi nuk kishte asnjë të dhënë se ai mund të ishte rrëmbyer nga persona të tjerë. Më pas ky procedim u pushua nga ana prokurorisë në datën 24 prill 2020.

Sipas burimeve ai kishte kaluar ilegalisht kufirin në Qafë-Thanë, pasi kishte probleme me drejtësisë shqiptare, për shkak se Shyqyri Beu, thonë burimet dyshohej për vjedhjen e një makine.

Trupi i pajetë i Shyqyri Beut, u soll nga Maqedonia e Veriut në Kavajë, ku familjarët e viktimës i dhanë lamtumirën e fundit. Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë së Kavajës, Shyqyri Beu u gjet i vdekur në 15 maj, pasi ishte qëlluar me armë zjarri.

Informacionet thonin se Beu, ishte i implikuar në trafikun e drogës nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë. Ai besohet se ishte në shërbim si korrier për llogari të një grupi kriminal në Elbasan, për të cilat kishte shkuar dhe në Maqedoninë e Veriut.

Referuar dhe informacioneve të mara nga familjarët, Shyqyri Beu, nuk kishte asnjë arsye për të shkuar në Maqedoni, pasi në këtë shtet ata nuk kishin asnjë të afërm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd