Transmetuar më 23-01-2024, 20:59

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se këtë të enjte së bashku me ministrat e tij do të japin dorëheqjen për të hapur rrugë formimit të qeverisë teknike.

“E gjithë Qeveria do të japë dorëheqjen, të enjten në orën 10:00. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën të votohet Qeveria teknike”.

Për herë të parë në histori qeveria e shtetit fqinj do të drejtohet nga një shqiptar. Ai do të jetë Talat Xhaferi, ku qeveria teknike ka si detyrë mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Për t’i hapur rrugë këtij procesi pritet që fillimisht edhe Xhaferi të japë dorëheqjen si kryetar i Parlamentit.

Para votimit të qeverisë, është rënë dakord që Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate te zgjidhet si kryetar i Kuvendit.

Pjesë e qeverisë teknike veç LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, VMRO DPMNE-ja. Asaj i takojnë ministritë e Punëve të Brendshme, për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd