Transmetuar më 22-01-2024, 15:25

Shkup- Po mbahet në Shkup Samiti Ballkani-Perëndimor-BE. Liderët e rajonit janë mbledhur për Planin e Rritjes të miratuar nga BE. ja çfarë u deklarua sot nga udhëheqësit ballkanikë dhe të pranishmit e tjerë:

Vuçiç: Kam shprehur dëshirën për të shkuar në Kosovë, i gatshëm të flas me njerëzit e mi atje

SHKUP- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur në një konferencë për media pas Samitit në Shkup. Vuçiç ka thënë se ka folur për Ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, për çështjen e dinarit, duke pretenduar se institucionet e Republikës së Kosovës e kanë ndaluar për transaksione.

“Fola me O’Brien për vendimin për të anuluar pagesat”, ka thënë Vuçiç.

A ka thënë se për këtë çështje do të vazhdojë konsultimet me O’Brien. Gjithashtu ai është pyetur nga gazetarët edhe për vizitën që e ka paralajmëruar në Kosovë. Vuçiç ka thënë se e ka shprehur dëshirën e tij por që kjo nuk nënkupton që do të lejohet të vizitojë Kosovën.

“Unë vetëm kam shprehur dëshirën time. Unë jam gjithmonë i lirë dhe i gatshëm të flas me njerëzit tanë në Kosovë, për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme se kaq”, ka thënë Vuçiç.

Kurti nga Shkupi: Për sa kohë Radoiçiç është i lirë në Serbi, s’mund t’i heqim masat e sigurisë në kufi

SHKUP- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media nga Shkupi, ka thënë se Kosova nuk ka vendosur masa tregtare ndaj Serbisë, por janë vetëm masa të sigurisë. Kurti tha se këto masa janë marrë pasi autoritetet e Kosovës në tri raste kanë sekuestruar sasi të madhe të armatimit përgjatë vitit 2023. Ai shtoi se këto armë janë të prodhuar në Serbi dhe në Kosovë kanë hyrë nga Serbia.

“I gjithë ky armatim është prodhuar në Serbi dhe i gjithë ky armatim ka ardhur nga Serbia. Dhe kur kësaj ia shtojmë faktin se akti kriminal, në masë të konsiderueshme janë të lirë në Serbi në krye me Milan Radoicicin, masat e sigurisë janë të nevojshme. Ne s’kemi masa tregtare, por masa të sigurisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka ripërsëritur se masat e sigurisë s’mund të hiqen përderisa kanë informacione e Radoiçiç dhe grupi i tij takohen në Serbi e bëjnë plane për riorganizim.

O’Brien: SHBA përkrahë Marrëveshjen e Ohrit, Kosova dhe Serbia ta zbatojnë

SHKUP- Ndihmëssekretari i Shtetit, James O’Brien, në një konferencë për media nga Shkupi ka folur shkurt edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se SHBA e përkrah fuqishëm marrëveshjen e Ohrit që është arritur në mars të vitit të kaluar pikërisht në Maqedoni të Veriut dhe se Kosova dhe Serbia duhet të veprojnë brenda dialogut për ta zbatuar plotësisht marrëveshjen.

“Ne mbështesim fuqimisht udhërrefyesin e Ohrit, që është miratuar në mars të vitit të kaluar dhe të dy shtetet duhet të veprojnë brenda dialogut për ta zbatuar plotësisht”, ka thënë Obrien.

Samiti në Shkup, Rama: Tregun rajonal ta bëjmë për qytetarët, mos të mbahemi mend vetëm për përleshje

SHKUP- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se tregu rajonal duhet që të bëhet për qytetarët. Në një konferencë për mediat, Rama ka theksuar se rajoni ynë nuk duhet që të mbahet mend vetëm për përleshje, por edhe për bashkëpunim me njëri-tjetrin. Rama tha se vendet duhet të shohin përtej ngjyrave të flamujve dhe të bashkëpunojmë ngushtësisht në të gjitha fushat, me qëllim përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

“BE do ketë zgjedhje, për momentin nuk është në pozicioni të leverdishëm. Kur ata janë në formë të mirë, ne jemi në formë të keqe dhe anasjelltas, shpresoj se çdo gjë do të shkoj siç duhet. Thellë jam i bindur se ka hapësirë për përmirësim për shkak se duhet të jemi më ambiciozë dhe të kërkojmë më shumë. Ta bëjmë atë që mund ta bëjmë tani. Kur flasim për Shqipërinë, ne jemi të lumtur që nuk jemi aq patriot, dhe s’jemi të lidhur me ngjyrat e flamujve dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë dhe të bëjmë presion për ta bërë këtë punë. Nëse e bëjmë këtë, do jetë diçka e madhe për të gjithë ne. Duhet të na mbajnë mend jo vetëm për përleshje, por që kemi bërë diçka për biznesmenët dhe për qytetarët tanë. Le të fillojmë ku të tregojmë miqve tanë të Bosnjës duhet ta ratifikojnë vendimin dhe t’u lejojnë qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm”, tha Rama.

Samiti në Shkup pa konferencë të përbashkët, Kovaçevski: Kërkuan të ndryshohet

SHKUP- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka mbajtur një konferencë për media bashkë me zyrtarin e lartë të Administratës amerikane, James O’Brien pas takimit në panelin e Samitit me liderët e Ballkanit Perëndimorë. Kovaçevski ka thënë se formati i konferencës është ndryshuar me kërkesë të vetë liderëve pjesëmarrës dhe secili do të mbajë konferencë të veçuar në të njëjtën kohë. Megjithatë ka thënë se atmosfera në Shkup ka qenë konstruktive.

Ai ka përmendur edhe darkën jo-formale të mbajtur të dielën, duke thënë se takimi ka qenë i afërt dhe shumë miqësor.

“Konferenca e shtypit nuk po mbahet në atë format dhe liderët kanë kërkuar të ndryshohet. Konferenca e shtypit njëkohësisht po mbahet për secilin lider. Por mund ta shihni që është një atmosferë shumë konstruktive. Edhe mbrëmë ka pasur një darkë jo-formale, ka qenë një takim shumë i afërt, shumë miqësor”, ka deklaruar ai.

Rama: BE dhe SHBA të prerë, kush pengon integrimin e tjetrit, pengon veten

SHKUP- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë samitit të sotëm si Bashkimi Evropian ashtu dhe SHBA-ja ishin të qartë në dhënien e objektivave të tyre. Sipas Ramës, ata janë treguar të prerë se kush pengon integrimin e një shteti, pengon dhe integrimin e tij. Rama foli edhe në lidhje me “Ballkanin e Hapur”, ku tha se ishte i nevojshëm integrimi brenda rajonit, në mënyrë që Ballkani të jetë gati për integrimin në BE.

"U fol për punë konkrete. Për temat e sfidës së madhe që është përfitimi me sukses i gjithë rajonit nga plani i rri i rritjes së BE dhe mundësia e integrimit në tregun e përbashkët. Është e qartë, iu bë e qartë dje dhe sot nga BE dhe SHBA se në këtë proces nuk ka asnjë hapësirë dhe asnjë dëshirë për të dëgjuar çështje të natyrës politike e bilaterale. Çdo vend që do bllokojë tjetrin në proces do bllokoje veten”, U bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik, flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite. Që duhet të integrohemi brenda rajonit, që të jemi gati për në BE. BE e ka bërë shkak që nëse nuk jemi bashkë, ai që do bëhet pengesë do pengojë veten”, tha Rama.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, deklarata e përbashkët pas takimit: Fokus integrimi në BE dhe bashkëpunimi ekonomik

SHKUP- Sot në Shkup është zhvilluar takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin është diskutuar Plani i rritjes i BE-së për vendet e rajonit ku morën pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, i Kosovës Albin Kurti, i Malit të Zi Millojko Spajiç, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçië, në prani të drejtorit të përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian Gert Jan Kompan dhe ndihmës sekretarit të Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brajan. Ata kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët në përfundim të takimit ku si pikë të parë të rëndësishme ata kanë theksuar bashkëpunimin brenda rajonit dhe integrimin në BE, duke pasur parasysh agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe krizat e vazhdueshme në Lindje të Mesme.

Liderët në deklaratën e përbashkët thonë se Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e re për të promovuar konvergjencën ekonomike dhe sociale të rajonit. Gjithashtu lzotohen për përkushtim për të shfrytëzuar mundësitë e Planit, në mënyrë që të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve për të ardhme më të qëndrueshme brenda BE-së. Në deklaratë liderët thonë se do t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre për promovimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të përbashkët rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së.

Deklarata e përbashkët nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas takimit të sotëm të mbajtur në Shkup:

Rama: Samit për Ukrainën në Tiranë, Zelenskyy do jetë i pranishëm

SHKUP- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të zhvillohet një samit për Ukrainën në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se në samit do të jetë i pranishëm vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Rama nuk ka një kohë të caktuar për zhvillimin e samitit, por theksoi se do të për të siguruar Ukrainën për mbështetje.

“Po përgatisim një samit për Ukrainën. Do të kemi të pranishëm presidentin Zelensky. Paralelisht me të, do të përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit, me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë pjesë të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve amerikanë, për të vazhduar të punojmë me ritmin e përshpejtuar që dikton që janë sot në Evropë”, tha Rama.

Rama nga Shkupi: Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reforma

SHKUP- Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas diskutimeve në panelin e parë në Samitin BE-Ballkani Perëdimor që po mbahet në Shkup. Rama tha se Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reforma. Ai shtoi se pjesa më e rëndësishme e procesit, nuk janë miliarda, por integrimi në tregun e brendshëm europian.

“Shqipëria nuk ka nevojë për mbështetje financiare për të bërë reformat. Nuk kemi kërkuar mbështetje financiare për reformat. Ja ku jemi sot nëse do kishim bërë gjënë e duhur, nuk do kishim nevojë të shtrëngonim rrypin e përbashkët për dicka që duhet ta kishim bërë bashkë me kohë. Pjesa më e rëndësishme e procesit, nuk janë miliarda, por integrimi në tregun e brendshëm europian. Vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët, parashikohët të mund të kursejnë mbi 20 mln euro në vit. Janë shumë të tjera që do i ndihmojnë shumë ekonomisë bizneseve, etj”, tha Rama.

Nga ana tjetër kryeministri ka ritheksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkryera dhe se nuk kanë qenë asnjëherë në një nivel të tillë. Rama u shpreh se në takimin e zhvilluar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit James O’Brien kanë folur për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe gjithashtu për rajonin.

“Kemi folur edhe për Shqipërinë dhe për rajonin dhe marrëdhëniet tona me SHBA nuk kanë qenë më të mira më të afërta dhe më produktive dhe ashtu sikundër edhe roli ynë rajon nuk ka qenë ndonjëherë me i qartë. Kur bën beteja për të gjithë popujt tanë atëherë tryeza trajton çështje që lidhen për mirëqenien e vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, tha ai.

Vuçiç në Shkup, paralajmëron konferencë vetëm me mediat serbe

SHKUP- Presidenti i Serbisë, Aleksandër, Vuçiç i cili po merr pjesë në tryezën e Samitit të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup, paralajmëron konference vetëm me mediat serbe. Vuçiç pritet të mbaje një konference për media para konferencës se përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, por në këtë konferencë po lejohen vetëm mediat e Serbisë dhe jo edhe të vendeve të tjera, sipas Gazetës Express.

Liderët rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë janë mbledhur sot, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

VIDEO/ Samiti në Shkup, Rama-Kovaçevski-t: Maqedonia e Veriut nuk është më e mira në rajon për ushqimin

SHKUP- Liderët e Ballkanit Perëndimor ndodhen në Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit. Në panelin e parë të takimit, kryeministri Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski nuk i kanë kursyer batutat për ushqimin që është shërbyer. Rama i tha Kovaçevskit se duhet ta pranojë se Maqedonia e Veriut nuk është më e mira në rajon. Ndërsa Kovaçevski iu përgjigj duke thënë se kabineti i tij e ka kuptuar se në Ballkan më mirë është të shërbehet kuzhina maqedonase se ajo franceze. Këto batuta mes Ramës dhe Kovaçevskit janë mirëpritur nga të pranishmit tjerë.

Kujtojmë se në takimin e sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruhet deklaratë e përbashkët në mes tyre, ndërsa shtetet e rajonit do të kenë mundësi të përfitojnë 6 miliardë euro.

Rama publikon pamjet nga Samiti në Shkup: Harroni ngjyrën e flamujve tonë, është më i rëndësishëm i BE-së

SHKUP- Kryeministri Edi Rama, ka publikuar ‘fotografinë familjare’, siç e quan ai, të bërë bashkë me liderët e shteteve të tjera të rajonit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe preisdentin serb, Aleksandër Vuçiç. Liderët e Ballkanit Perëndimor ndodhen në Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

Më herët, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, nënvizoi rëndësinë e kësaj iniciative jo vetëm për shtetet e rajonit por edhe për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e gjithë rajonit në përgjithësi.

“Duhet të jenë daltonikë për historinë. Duhet të harroni cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm duhet të jetë flamuri i BE-së. Duhet të ulen dhe teknikisht të diskutojnë detajet që ta realizojmë këtë. Por, ministrat duhet ta harrojnë historinë, ngjyrat dhe të mbajnë mend se kemi vetëm një ngjyrë, ngjyra e flamurit të BE-së, nëse duam ta realizojmë këtë dhe nuk duam ta humbim këtë mundësi. Dhe nëse dhe nëse nuk kuptohet mirë, kur ata janë në formë të mirë, ne jemi në formë të keqe dhe kur jemi ne në formë të mirë ata janë në formë të keqe. Asnjëherë nuk ka ndodhur që këto gjëra të jenë bashkërisht. Shpresoj që gjithçka do të shkojë si duhet dhe me Komisionin dhe Këshillin e ri do të vazhdojmë”, tha Rama.

Kurti në Shkup: BE paraqet zgjedhje strategjike, detyra jonë të plotësojmë kushtet

SHKUP- Liderët e Ballkanit Perëndimor ndodhen në Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij të mbajtur në Samitin e zhvilluar në Shkup u ndal tek zgjerimi i BE-së si edhe tek bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kurti theksoi se Kosova është e gatshme për realizimin e reformave, duke shtuar se kërcënimet duhet të marrin fund.

“Vitin e kaluar në tetor në Samitin e procesit të Berlinit, doli nga një mungesë e caktuar për ndjenjën e zgjerimit urgjent, ndërsa tani kemi plan për rritje apo zgjerim urgjent dhe kjo për shkak të rritjes së agresionit rus. Lidhur me sektorin privat besoj do të përmirësojë qasjen e financave. Gjashtë vendet e Ballkanit sigurisht do të ketë përfitime. Aderimi në BE besoj që duhet të jetë me merita dhe duhet të jetë një mundësi për bashkëpunim më të fuqishëm nga vendet e Ballkanit. Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka bashkëpunimi mes vendeve. Kosova është e gatshme për reforma që rajoni të integrohet dhe qytetarët të afrohen, kërcënimet duhet të ndërpriten. Liria për mallra duhet të shfrytëzohet për qytetarët dhe jo për gjëra të tjera. Në demokracinë liberale ka rëndësi sundimi i së drejtës, BE paraqet përzgjedhje strategjike të liderëve të vendit dhe puna jonë është të plotësojmë kushtet dhe BE të gjykojë sipas meritave”, tha Kurti.

Vuçiç në Samit: Jemi të hapur për tregun rajonal, të zgjidhim disa probleme të mëdha

SHKUP- Liderët e Ballkanit Perëndimor ndodhen në Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se një treg rajonal në Ballkan do të ndihmonte shtetet, por veçanërisht qytetarët e këtij rajoni. Vuçiç kërkoi nga BE dhe SHBA të japin kontributin e tyre, me qëllim tejkalimin e pengesave, të cilat mund të dalin gjatë këtij procesi.

“Kur flasim për tregun rajonal ne jemi të hapur për të gjitha idetë dhe besojmë thellë se mund ta bëjmë këtë. Na ndihmoni me çështje të tjera, që duhet të zgjidhim disa probleme të mëdha, me të cilat do përballemi. Ta bëjmë për Ballkanin këtë dhe do jetë një lajm i mirë për qytetarët”, tha ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit