Transmetuar më 21-01-2024, 19:55

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, pasi ditën e nesërme do të mbahet takimi i liderve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të BE-së në kuadër të planit për rritje ekonomike te rajonit.

Rama ka publikuar një foto me ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit James O’Brien, i cili gjithashtu është i pranishëm në darkën që do të mbahet mbrëmjen e sotme mes liderve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE e SHBA.

“Shkup – Me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE”- shkruan Rama krahas fotove të publikuara.

Kreu i qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka organizuar sonte darkën joformale, ku të pranishëm do të jenë kryeministri Rama dhe kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjithashtu pritet të jetë i pranishëm në Samitin që do të mbahet në Shkup. Në fokus të këtij Samiti do të jetë edhe temat për rajonin, si stabiliteti dhe siguria.

Agjenda zyrtare për Samitin nesër:

Sipas programit, para fillimit të takimit, kryeministri Kovaçevski si dhe pjesëmarrësit zyrtarë do të kenë një deklaratë për media në orën 09:00.

Deklarata për media pritet të kenë edhe Aleksandar Vuçiq, President i Republikës së Serbisë, Edi Rama, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Milojko Spajic, Kryeministër i Qeverisë së Malit të Zi, Srgjan Amixhiq, Ministër i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Sipas programit, pas fjalëve hyrëse, në orën 09:50 vijon takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor nga rajoni.

Në takimin e liderëve, video – fjalim do të ketë edhe Borjana Krishto, kryesuese e Këshillit të ministrave të Bosnje Hercegovinës.

Në mënyrë plotësuese, në takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, CEFTA dhe Forumit të Odave të Investimeve të Ballkanit Perëndimor-6, USAID-i, më pas Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, Qendra për Evropën, Këshilli Atlantik, si dhe disa institucione financiare ndërkombëtare, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore.

Më pas, në orën 12:15 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit