Transmetuar më 20-01-2024, 13:25

Arsid Muça, një 16-vjeçar nga Shkodra humbi jetën nga flakët e zjarrit që përfshinë një ndërtesë në kufirin mes Belgjikës e Luksemburgut.

Afro dy muaj më parë, një i njohur e tërhoqi të riun për të punuar atje si emigrant duke qenë se familja Muça përballej me probleme ekonomike, por e gjitha u kthye në një tragjedi.

Në rrethana ende të paqarta, raportojnë mediat e Luksemburgut, një godinë në qytetin e Bastogne u shkrumbua nga një zjarr që u përhap me shpejtësi. 16 vjeçari ndodhej në gjumë dhe nuk ka arritur që të dalë, duke u djegur brenda.

Daja i tij, Fatmir Delaj rrëfen se viktima u detyrua të emigrojë në atë moshë të re duke mos vijuar shkollën e mesme për të ndihmuar familjen.

Komshinjtë në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër janë po aq të pikëlluar për këtë ngjarje të 16-vjeçarit që u dogj brenda ndërtesës.

Ata thonë se Arsidi ka punuar që 13 vjeç për t’iu bërë krah familjes derisa emigroi si një dritë jeshile e cila u kthye në një tragjedi.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 18 janarit në ndërtesën e quajtur Titanic në Bastogne të Luksemburgut.

Zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje duke shuar flakët por Arsid Muça nga Shkodra nuk arriti të shpëtojë duke humbur jetën.

Autoritetet e Luksemburgut vijojnë hetimet për ngjarjen dhe më pas do nisin procedurat për të sjellë trupin e viktimës në Shqipëri.

Familja Muça nuk ka mundësi ekonomike për të mbuluar shpenzimet ndërsa pritet të shihet nëse dikush do t’i vijë në ndihmë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd