Transmetuar më 16-01-2024, 19:26

Një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes të Komisionit Europian do të mbahet në Shkup të hënën e javës së ardhshme (22 janar), pjesë e të cilit do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të jetë mikpritës i takimit, ndërsa mediet maqedonase bëjnë me dije se të pranishëm do të jenë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

"Në takim janë të ftuar, kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, si dhe Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, së bashku me James O’Brien, Ndihmës Sekretari Shtetërorë për Evropë dhe Euroazi të SHBA-ve", shkruajnë mediet.

Në takim, përveç liderëve të rajonit, do të marrë pjesë edhe Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, së bashku me James O’Brien, Ndihmës Sekretari Shtetërorë për Evropë dhe Euroazi të SHBA-ve.

Për të marrë pjesë në atë takim janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-s dhe Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor , USAID-it, si dhe disa institucioneve financiare ndërkombëtare. Liderët e Ballkanit Perëndimor për herë të fundit ishin mbledhur në dhjetor për samitin me Bashkimin Europian.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd