Transmetuar më 12-01-2024, 22:15

SERBIA- Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiç, tha se njoftimi se të gjithë patrullat e Policisë së Kosovës do të pajisjen me armë të gjata “është jashtëzakonisht provokues dhe i rrezikshëm për rritjen e tensioneve”. Sipas Gashiçit, armët e gjata nuk përdoren në patrullat e rregullta të trafikut, e as gjatë kontrolleve të rregullta të qytetarëve. Më herët gjatë 12 janarit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata. Ai tha se këto armë do të rritet efikasiteti në luftimin e krimit. Sipas Gashiçit, ky njoftim i Sveçlës, “kriminalizon popullatën serbe” në Kosovë.

Gashiç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon me politikën “e instalimit të frikës dhe dhunës kundër popullatës serbe”. Në njoftimin e Sveçlës nuk u tha se për sa armë të blera bëhet fjalë, por ai vetëm falënderoi Kroacinë “për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”. Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë, të cilët kanë grada të ndryshme. Policia është reaguesja e parë e sigurisë në Kosovë dhe më pas vjen misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës KFOR-i, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës. Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Procesi i miratimit të këtyre armëve për Kosovën duhet të marrë pëlqimin e Kongresit amerikan./ REL

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd