Transmetuar më 11-01-2024, 21:00

Të shtëna me armë zjarri në Tetovë, mediat vendase raportojnë për dy persona të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup.

Raportohet se të plagosurit janë nga fshati Gajre e Tetovës, kurse përleshjes i ka paraprirë një zënkë që ka ndodhur në Gjykatën e Tetovës gjatë ditës.

Ekipet e policisë dhe prokurorisë janë në terren dhe po hetojnë shkaqet e incidentit të armatosur.

Ministrua e Brendshme lëshoi këtë komunikatë: "Sot rreth orës 18:05 në SPB Tetovë është raportuar se para hyrjes në Qendrën Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës janë qëlluar me armë zjarri dy persona nga fshati Gajre i Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime me armë zjarri.

Shërbimet e SPB Tetovë dhe prokurori publik janë në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për gjetjen e pesë personave të dyshuar në lidhje me rastin.

Këtij rasti sot i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri. Rasti është duke u zbardhur”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd