Transmetuar më 30-11-2023, 11:19

SHKUP- Konferenca Ministrore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup ka nisur mëngjesin e kësaj të enjteje. Joformalisht, kjo konferencë filloi mbrëmjen e djeshme (29 nëntor), me një darkë të shtruar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Konferenca do të shqyrtojë të ardhmen e OSBE-së, sfidat me të cilat po përballet dhe do të ratifikojë vendimin që Malta të marrë kryesimin e Organizatës për vitin 2024.

Në konferencë kanë marrë pjesë ministrat e jashtëm ose përfaqësuesit e tyre të 57 vendeve të OSBE-së, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA Anthony Blinken, Sergei Lavrov i Rusisë, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell. Në konferencë ka marrë pjesë edhe ministri i jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, pavarësisht se vendi i tij nuk është anëtar i OSBE-së.

Një nga elementët interesantë të kësaj konference është pjesëmarrja e Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov. Kjo është vizita e parë e ministrit të Jashtëm rus në një vend evropian pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, nuk parashikohet që në margjinat e punimeve të kësaj konference të OSBE-së të ketë takime të Sergej Lavrov me zyrtarë amerikanë dhe evropianë.

Për shkak të pranisë së ministrit të jashtëm rus në konferencë, ministrat e jashtëm të Ukrainës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë anuluan pjesëmarrjen e tyre në të, sepse, siç konsideruan, në këtë mënyrë i jepet një mundësi tjetër Rusisë për propagandë.