Transmetuar më 30-09-2023, 08:39

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për telefonatën që ka pasur të premten me këshilltarin kryesor i presidentit amerikan, Jake Sullivan. Kurti thotë se e ka falënderuar atë për mbështetjen për sigurinë kufitare të Kosovës duke kërkuar rritje të mbështetjes kundër planeve të Serbisë për luftë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës thonë se e ka siguruar këshilltarin e Biden për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se “përkushtimi i Kosovës për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundshëm”.

Encouraging call w/ @POTUS NSA @jakejsullivan. Thanked him for 🇺🇲 support of 🇽🇰 border security & requested increased assistance against Serbia's warfare plans. Assured him of continued Kosova Police cooperation w/ KFOR & that our commitment to protect all citizens is unshakable.

— Albin Kurti (@albinkurti) September 29, 2023

Telefonatën Kurti – Sullivan e konfirmoi edhe koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby. Ai tha se edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken kishte telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kirby kërkoi tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me aleatët e NATO-s për të reaguar ndaj përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën dhe minuar sigurinë. Ai konfirmoi se do të shtohet prania e NATO-s në pjesën veriore të Kosovës dhe përgjatë kufirit.

“Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konsultohen ngushtë me aleatët për të siguruar që pozicioni i forcave paqeruajtëse të jetë në përputhje me kërcënimin që paraqitet atje”, – tha ai.