
Për ndeshjen e katërt në dhjetë ditë, Interi do të përballet me Sassuolo në “San Siro”, kundërshtar i freskët nga “pokeri” ndaj Juves. Skuadra e Dionisit ka ulje-ngritje, por është e mirë për t’u dukur në ndeshjet kundër të ashtuquajturve të mëdhenj.
"Ata vijnë nga një sukses i rëndësishëm, – deklaroi Simone Inzaghi për “InterTV”, – do të na duhet një ndeshje e nivelit të lartë. Na kërkohet shumë vëmendje dhe vendosmëri. E di vlerën e ekipit dhe trajnerit kundërshtar, i cili është shumë i përgatitur dhe i aftë për të ofruar një organizim të shkëlqyer në fushë".
Angazhimet e shumta mund të çojnë në rotacione të planifikuara: “Mjaft nga lojtarët e mi kanë udhëtuar shumë me ekipet kombëtare respektive. Ne jemi në ndeshjen e katërt në dhjetë ditë, por për fat kam një skuadër konkurruese”.
Interi i sotëm pëson pak ose aspak dhe shënon shumë. Paradoksalisht, megjithatë, shënon më pak se sa krijon: "Është fakt që ne krijojmë shumë mundësi, jo vetëm këtë sezon. Krijojmë me sulmuesit, por edhe me të gjithë ekipin. Megjithatë, duhet të jemi më të vendosur dhe të saktë në zonën e kundërshtarit”.
Në fazën mbrojtëse ka të dhëna po aq ngushëlluese. Në të vërtetë, ndoshta më shumë se kaq: “Meritat shkojnë për të gjithë ekipin, gjithashtu për angazhimin e mesfushorëve dhe sulmuesve në sigurimin e ekuilibrit dhe kompaktësisë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





