
Nëse jashtë fushës, i vetmi njeri në komandë është gjithmonë José Mourinho, në drejtkëndëshin e gjelbër është Romelu Lukaku, ai që mban Romën në këmbë pas pesë javëve të para të Serie A (shto këtu edhe debutimin pozitiv në Europa League). Me “rrjetën” e fundit kundër Torinos, ndeshja e tij e 100-të në Serie A, golat e belgut në kampionatin italian shkuan në 59.
Një shifër domethënëse duke pasur parasysh se në 100 ndeshjet e para të luajtura në Serie A, qyshkur fitorja u vlerësua me tri pikë, vetëm pesë lojtarë kanë bërë më mirë se “Big Rom”: David Trézéguet (63 gola), Vincenzo Montella (64), Andriy Shevchenko (64), Gonzalo Higuaín (65) dhe Cristiano Ronaldo (81).
Në fund të fundit, Torino ka qenë gjithmonë një nga “viktimat” e tij të preferuara. Në kampionatin italian, këtij kundërshtari i ka shënuar 5 gola, shto këtu edhe tri asiste. Prandaj janë tetë veprime në të cilat ai ishte vendimtar, ndaj asnjë ekipi në karrierën e tij nuk ka bërë më mirë.
Por me kë “lidhet” tashmë rekordi i tij? Me Genoa, kundër së cilës do të luajë të enjten. Ndaj këtij kundërshtari, sulmuesi belg ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 2 asiste deri më tani. Të besuarit e Gilardino janë të paralajmëruar… Kini kujdes, Lukaku nuk duhet t’ju humbasë nga sytë pas një goli të parë të mundshëm.
Por le të kthehemi te Roma. Belgu shënoi në të tria ndeshjet radhazi, në të cilat Mourinho e aktivizoi si titullar atë (dy në Serie A dhe një në Europa League). Romelu nuk kishte bërë aq mirë që nga viti 2021, kur midis majit dhe gushtit shënoi 4 gola në kompeticionet e ndryshme.
Me pak fjalë, numra të rëndësishëm të cilët, të kombinuara me paraqitje jo gjithmonë brilante nga një pjesë e madhe e ekipit, tregojnë se si nënshkrimi i fundit i verës së verdhekuqve është vërtet i domosdoshëm. “Special One” e di mirë këtë, aq sa pas ndeshjes ndaj “granatave” e komentoi paraqitjen e lojtarit të tij me një frazë të vetme dhe të fuqishme: “Lukaku është fantastik, nuk ka asgjë tjetër për të thënë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





