
LUSHNJE- Grabitje me maska dhe me armë në Lushnje.
Pre e grabitjes ka rënë banesa e biznesmenit Alfred Gjermeni. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë në fshatin Fier i Ri.
Pesë persona morën pjesë në grabitje duke marrë para dhe bizhuteri.
‘Maskat’, të cilët kanë qenë të armatosur, kanë hyrë në banesën tre katëshe, ku dhe janë përleshur me 37-vjeçarin.
Nën kërcënimin e armës, ata kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe bizhuteri.
Policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për identifikimin e hajdutëve.
Policia saktëson se ‘rreth orës 00:30 të datës 31.05.2023, shtetasi A. Gj., 37 vjeç, banues në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, ka njoftuar Policinë se shtetas ende të paidentifikuar i kishin hyrë në banesë, dhe dyshohet nën kërcënimin e armës, i kishin marrë një shumë parash dhe ishin larguar. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë krehjen e saj, me qëllim kapjen e autorëve. Janë shoqëruar disa shtetas dhe vijon shoqërimi i shtetasve të tjerë të dyshuar për këtë ngjarje. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve’.