Transmetuar më 29-05-2023, 22:55

Prej dy vitesh emisioni Stop në Tv Klan transmeton një ankesë nga qytetari Leonard Nuka. Në vitin 2017 në Bulevardin Blu në zonën e Kamzës, kishin ndodhur dy aksidente e ishin dëmtuar dy automjete. Për këto aksidente akuzohej Leonard Nuka, i cili thotë se nuk ka as makinë e as patentë, por i kërkojnë të paguajë 1 milionë e 200 mijë Lekë të vjetra. Leonardi ynë është nga Berati dhe ka marrë thirrje për gjyq nga kompania Eurosig.

Pasi Stop i dha zgjidhje problemit, Leonardi njoftone sërish se e kanë thirrur në gjyq. Stop u drejtua edhe një herë në kompaninë Eurosig, ku shpjeguan se janë ndërruar gjyqtarët për shkak të Vettingut, ndaj zoti Nuka duhet të paraqitej edhe në seancën e Tetorit 2022 për të pushuar çështjen.

Tani në verën e vitit 2023, Leonard Nuka vazhdon të njoftohet nga Gjykata e Shkallës së Parë për zhvillimin e seancave gjyqësore.

Leonard Nuka: Në 2023-shin më vijnë njoftimet për seancë gjyqësore, që unë nuk jam fare në këtë çështje. Prandaj unë po kaloj stres. Edhe unë edhe familja…Për këtë çështje, që ata më akuzojnë kot.

Po gjykohem kot. Po bëj kaq vite, që vij vërdallë. Edhe nuk kam lidhje, edhe vazhdojnë të më thërrasin.

Eurosig na vendosi në dispozicion dy kërkesa drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, saktësisht gjyqtarit Arben Kostandini dhe Blerina Muça për korrigjimin e të dhënave të personit, i cili ka shkaktuar aksidentin.

Stop i drejtoi një shkresë gjyqtares Esmeralda Xhili, duke shpresuar që kjo të jetë hera e fundit, që qytetari thirret për zhvillimin e seancës gjyqësore./TvKlan