Transmetuar më 28-05-2023, 12:24

Ministri kinez i Tregtisë: Kina dëshiron të kontribuojë në sistemin tregtar shumëpalësh dhe zhvillimin e tregtisë

Kina, si një vend i madh në zhvillim, është e gatshme të japë kontributin e saj të duhur në drejtim të mbështetjes së sistemit tregtar shumëpalësh dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të tregtisë, tha ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao në Takimin e Ministrave të Tregtisë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), të mbajtur nga e enjtja deri dje në ShBA.

Mbështetja e sistemit tregtar shumëpalësh është një traditë e rëndësishme e APEC-ut, vuri në dukje Wang. Ndërsa reforma e Organizatës Botërore të Tregtisë po përshpejtohet, ekonomitë e Azi-Paqësorit duhet të marrin pjesë aktive në këto reforma dhe të promovojnë mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Grupet e ndryshme ekonomike duhet të përpiqen të përfundojnë sa më shpejt negociatat për lehtësimin e investimeve, të përfundojnë në mënyrë thelbësore bisedimet për tregtinë elektronike brenda këtij viti dhe të promovojnë iniciativa të tilla si parandalimi dhe kontrolli i ndotjes plastike, tha ai.

Ndërkohë, ekonomitë në rajonin e Azi-Paqësorit duhet të forcojnë bashkëpunimin dhe të fokusohen në fushat me shqetësim të përbashkët, duke nxitur arritjen e rezultateve praktike në Konferencën e 13-të Ministrore të Organizatës Botërore të Tregtisë në fushat me interes të përbashkët dhe me konsensusin e lartë të të gjithë anëtarëve, tha Wang.

Rajoni i Azi-Paqësorit ka qenë gjithmonë më dinamik, më premtues dhe më elastik në ekonominë globale, por gjithashtu përballet me ndërhyrje dhe sfida në zhvillimin e tij ekonomiko-tregtar, vuri në dukje Wang.

Kina u bën thirrje anëtarëve të APEC-ut që të vazhdojnë të mbështesin rajonalizmin e hapur, të zbatojnë statusin e kanalit kryesor të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, të nxitin integrimin ekonomik rajonal dhe të thellojnë më tej bashkëpunimin e tregtisë dhe investimeve, tha Wang, duke shtuar se duhet të ndahen mundësitë dhe dividentët e sjellë nga zhvillimi i integruar i zinxhirëve industrialë dhe furnizimit rajonal.

Ekonomitë gjithashtu duhet t’i japin një rol të plotë zhvillimit të gjelbër e me karbon të ulët dhe ekonomisë dixhitale, si motorë të rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të kryejnë në mënyrë aktive shkëmbimet dhe koordinimin e politikave, asistencën teknike dhe ndërtimin e kapaciteteve, të promovojnë bashkëpunimin industrial dhe investimet në infrastrukturë, të ndihmojnë vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara që të integrohen më mirë në procesin e zhvillimit dhe të ndihmojnë ndërmarrjet, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, të ndajnë mundësitë e zhvillimit, shtoi ai.

Gjatë takimit të Ministrave të Tregtisë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, Wang mori pjesë gjithashtu në takimin ministror midis Kinës dhe anëtarëve të Marrëveshjes së Partneritetit të Ekonomisë Dixhitale dhe u takua me kreun e Organizatës Botërore të Tregtisë Ngozi Okonjo-Iweala dhe ministrat respektivë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë etj., duke shkëmbyer mendime për çështje dypalëshe dhe shumëpalëshe ekonomiko-tregtare.

Takimi i Ministrave të Tregtisë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor zgjati dy ditë dhe u mbyll më 26 maj, duke premtur se do të përballohen sfida si mjedisi, siguria e ushqimeve, ndikimet e epidemisë globale, etj.

Deklarata në emër të ministrave përgjegjës për Tregtinë e APEC-ut 2023 u formulua gjatë takimit. Në të thuhet se do ketë përpjekje të përbashkëta për realizimin e një mjedisi të tregtisë dhe investimeve të lirë, të hapur, të drejtë, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe të parashikueshëm, si dhe do të përkrahet dhe forcohet më tej sistemi tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb të tij.