Transmetuar më 27-05-2023, 15:17

Në prag të ndeshjes kundër Juventusit, trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, tha fjalën e tij për penalizimin e bardhezinjve në kampionat me minus 10 pikë, çka rrezikon t’i lërë ato jashtë Kupave të Europës:

“Të gjithë jemi dakord për faktin se koha e këtyre penalizimeve nuk është ajo që do të donim në një kampionat të rregullt. Heqja dhe marrja e pikëve nuk është e mirë për askënd, le të shpresojmë që të gjenden kohë më të mira për të mos krijuar shqetësim për të gjitha formacionet”.

Milani do të jetë mysafir i “Zonjës së Vjetër” në kuadrin e javës së 37-të të Serie A, me synimin për të fituar dhe mbyllur çështjen e kualifikimit në Ligën e Kampionëve të ardhshme. Pioli bën këtë prognozë:

“Kishim kohë pa pasur një javë pune në dispozicion dhe e shfrytëzuam për të rikuperuar energjitë, për t’u përgatitur për ndeshjen. Juventus-Milan flet vetë, do të gjejmë një skuadër të motivuar dhe të koncentruar, pastaj në shtëpi bardhezinjtë kanë marrë më shumë pikë se gjithë të tjerët. Do të jetë një sfidë themelore për qëllimin tonë, qoftë vendi i katërt apo diçka më e mirë.

Do të jetë vazhdimi i një rrugëtimi që ka pasur momente shumë të lumtura dhe disa zhgënjime. Nuk duhet të harrojmë se nga e kemi nisur, por nuk do të jetë fundi i një cikli. Vetëm në Serie A kemi pasur ulje-ngritje.

E di shumë mirë cilësinë e skuadrës sime, por tani nuk është koha për të folur për merkaton. Se cila do të jetë e ardhmja do ta studiojmë në kohën e duhur. Në Torino do të kemi “playmaker” Diaz, por asnjëherë nuk është lojtari individual ai që përcakton performancën e ekipit. Grupi do të duhet të luajë me energji dhe kompaktësi. Duhet të luajmë në një nivel të lartë.

Juve do të luajë ndeshjen më të mirë të mundshme për të demonstruar shumë gjëra, por edhe ne duam ta fitojmë këtë ndeshje, për të mbyllur diskutimin e Champions League para ndeshjes së fundit.

Dua një performancë të nivelit të lartë nga ekipi im kundër një Juventusi shumë të fortë, që ka lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner të madh. Kemi nevojë për një performancë të lartë në shumë aspekte, pastaj çfarë do të bëjnë të tjerët nuk do ta ndryshojë qasjen tonë ndaj ndeshjes.

Nuk i vendos notë tani ekipit tim, por pasi të mbarojë kampionati, sepse mund të përfundojmë edhe të dytët, edhe të gjashtët. Ambicia jonë është të fitojmë ndeshjen kundër Juventusit për të mos pritur ndeshjen e fundit. Duhet arritur objektivi i rëndësishëm i klubit”.