Transmetuar më 27-05-2023, 11:55

Gjërat nuk po shkojnë shumë mirë për Mario Balotellin te FC Sion, për ta thënë butë, me skuadrën e tij zvicerane në fund të renditjes dhe në rrezik të rënies nga kategoria. Rikthimi në pankinë i Paolo Tramezzanit, i cili ishte shkarkuar në fillim të sezonit, nuk ka dhënë frytet e veta dhe për këtë arsye seria e rezultateve zhgënjyese të skuadrës së kantonit “Valais” vazhdon: 4 humbje radhazi, 6 humbje në 7 ndeshjet e fundit. Pra, vetëm një pikë e fituar nga 21 të tilla në dispozicion.

FC Sion është në “humnerë” dhe kritikave të tifozëve nuk mund t’iu shpëtonte Balotelli, promovimi i të cilit kapiten jo vetëm që nuk pati efekte pozitive, por preku fundin me zëvendësimin e tij në pjesën e parë, në ndeshjen e humbur 5- 0 ndaj Servette, më 13 maj.

Një disfatë shumë e rëndë që i kushtoi stolin trajnerit Bettoni. Ish-sulmuesi i Milanit dhe Interit, ndër të tjera, aktualisht është i lënduar, por fjalët e tij sigurisht nuk janë të një lojtari që ndihet në fund të karrierës. Përkundrazi, ai po iu dërgon një mesazh klubeve të Serie A për një rikthim të mundshëm në Itali.

"Kam edhe një vit në kontratën time me FC Sion, por Seria A do të mbetej një objektiv magjepsës, – shpjegoi “Super Mario” për “Gazzetta dello Sport”. – Ndihem mirë. Lëndimi i fundit nuk llogaritet, kam të paktën edhe tri vite të tjera të rëndësishme në këmbët e mia.

Jam ende 32 vjeç. Tani kujdesem më mirë për dietën time, jo më pije dhe ushqime të dëmshme. E kisha provuar këtë dietë rreth dhjetë vite më parë… Përvojat të ndihmojnë për t’i kuptuar më mirë situatat”.

Balotelli vazhdon më pas mbi kombëtaren italiane, e cila për të tani duket e mbyllur përfundimisht, pavarësisht se në stol është Roberto Mancini, i cili e njeh më mirë se kushdo tjetër: “Prisja një telefonatë nga ai para ndeshjes me Maqedoninë. Nuk e di se çfarë ndodhi. Dashuria ime për kombëtaren është e pandryshuar.

Fanella blu është një gjë, pastaj marrëdhëniet me individët janë histori tjetër. E vërteta është se gjithmonë kam qeshur dhe bërë shaka me të gjithë, nuk kam pasur kurrë probleme me askënd. A po kërkon Italia për një qendërsulmues? Immobile dhe Scamacca janë lojtarë të mirë, por ju duhet pak më shumë për të fituar".