Transmetuar më 27-05-2023, 10:28

Giovanni Galeone njihet si mentori i Massimiliano Allegrit nga ditët e Perugia dhe Pescara. Trajneri aktual i Juventusit e kishte falënderuar edhe pas fitimit të kampionatit të parë në karrierë me Milanin.

Megjithatë, kohët kanë ndryshuar tani dhe e ardhmja në stolin bardhezi nuk duket aq e qartë. Galeone foli për këtë në mikrofonat e "Marte Sport Live". Këto janë fjalët e tij:

"Allegri? Po, do të qëndrojë te Juventusi. Unë për vete jam kundër Juventusit që nga viti 1958, kam luajtur për kombëtaren e të rinjve dhe në Coverciano, sa herë i merrnim topin Bonipertit, ai thoshte faull dhe arbitri fishkëllente".

Galeone më pas vazhdoi të fliste për ngjarjet jashtë fushës, që përfshijnë bardhezinjtë: "Si një njeri i deklaruar kundër Juventusit, megjithatë, unë them se nuk është normale të marrësh 10 pikë penalizim pak para se të futesh në fushë.

Nëse Juve nuk do të kishte luajtur ndaj Empolit, tashmë i sigurt për qëndrimin në Serie A, por kundër Verona, Spezia apo Lecce që nxitojnë për të shpëtuar veten, çfarë do të kishte ndodhur?

Kështu po deformohet një kampionat. Më mirë do të ishte të përfundonte kampionati dhe më pas të vazhdonin me penalitetet, që sigurisht do të kanë qenë të mundimshme në çdo rast”.