Transmetuar më 24-05-2023, 08:55

Kualifikimi i fundit europian i Brighton ka ngjallur admirimin e personaliteteve kryesore të botës së futbollit, të cilët kanë dashur të urojnë Roberto De Zerbin për arritjen e madhe. Veçanërisht një zë ishte më i lartë se të tjerët; ai i Pep Guardiolës, fituesit të ri të Premier League me Manchester City e tij.

Tekniku spanjoll, gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes mes "qytetarëve" dhe "pulëbardhave" përdori një krahasim të çuditshëm për të komplimentuar kolegun italian: "Nëse De Zerbi më bëri përshtypje? Shumë.

E përgëzoj për këtë rezultat të pabesueshëm, kualifikimin në Evropë. Roberto është një nga trajnerët më me ndikim të 20 viteve të funditm nuk kam parë si ai në dy dekada. Nuk ka asnjë skuadër tjetër që luan si Brighton, është unike. Kisha një ndjenjë që ndikimi do të ishte fantastik me ardhjen e tij në Premier League.

Nuk prisja që kjo të ndodhte në një kohë të shkurtër. Ai krijon 20-25 raste për ndeshje, monopolizon topin, të gjithë janë të përfshirë, portieri është si një mesfushor mbrojtës. Nëse nuk e përballoni duke luajtur në një nivel të lartë, ai mund bëjë çfarë të dojë.

Meriton komplimente për suksesin që ka arritur. Përpiqem të mësoj shumë prej tij, është unik, si një restorant me yje ‘Michelin’ në Katalonjë, kuzhinieri më i mirë për shumë e shumë vite. Ai ndryshoi plotësisht kuzhinën dhe mendoj se Brighton po bën diçka unike”.