Transmetuar më 23-05-2023, 11:28

Komiteti i Gjyqtarëve të UEFA-s ka caktuar Szymon Marciniak për të gjykuar finalen e Ligës së Kampionëve mes Manchester City dhe Inter. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin olimpik "Atatürk" të Stambollit, të shtunën e 10 qershorit, prej orës 21:00.

42-vjeçari polak, një arbitër ndërkombëtar që nga viti 2011, do të gjykojë finalen e tij të parë të Ligës së Kampionëve, pasi shërbeu si arbitër i katërt në vitin 2018. Ai ka arbitruar tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë sezon, duke filluar nga raundi i "play-off"-it, përfshirë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të këtij edicioni mes Manchester City dhe Real Madridit.

Dhjetorin e kaluar, ai arbitroi finalen e Kupës së Botës në Katar, midis Argjentinës dhe Francës. Marciniak do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij Pawe Sokolnicki dhe Tomasz Listkiewicz. Rumuni Vasile Florin Marinescu do të veprojë si arbitër i katërt.

Në VAR është caktuar Tomasz Kwiatowski (Poloni), i cili do të ndihmohet nga bashkatdhetari i tij Bartosz Frankowski dhe gjermani Marco Fritz.