Transmetuar më 23-05-2023, 09:56

Një ditë e tmerrshme për Juventusin, e hëna e 22 majit. Fillimisht penalizimi me zbritjen e 10 pikëve, marrë nga Gjykata Federale e Apelit, më pas humbja e rëndë 4-1 në Empoli. Të gjitha, pak ditë pas eliminimit nga “Europa League” ndaj Sevilla.

Ditë dhe orë të vështira për skuadrën bardhezi, që ëndërronte finalen e “Europa League” dhe zonën Champions përmes Serie A, por tashmë e renditur në vendin e shtatë. Pra, shkuarja në Kupat e Europës do të përcaktohet në dy javët e fundit të kampionatit.

Në fund të ndeshjes Empoli-Juventus, Allegri foli për ditën e vështirë, si dhe për situatën aktuale të bardhezinjve, tani të detyruar të ndjekin një vend në Ligën e Evropës ose Ligën e Konferencës:

“Ishte një situatë e çuditshme, dënimi erdhi para ndeshjes. Ne e filluam mirë, pastaj pësuam dy golat. Mund të flasim për shumë gjëra, por duhet të heshtim, të pranojmë humbjen. Dhjetë minuta para ndeshjes në Empoli, nga të dytët në renditje, më pas e pamë veten 10 pikë më poshtë.

Ne kemi grumbulluar 69 pikë në fushë, pastaj e pamë veten me 10 pikë më pak. Kishim mundësinë të luanim me Milanin për të hyrë në Ligën e Kampionëve, duke fituar sonte. Nuk mund t’i fajësoj djemtë për asgjë. Nuk ishte e lehtë situata. Eliminimi ndaj Sevilla, më pas të heqin 10 pikë 10 minuta para ndeshjes. Nuk janë justifikime këto që them, por është një situatë anormale.

Ndoshta ne do të jemi në gjendje të fitojmë menjëherë sezonin e ardhshëm, por e rëndësishme është se do të duhet të jemi në linjë me vështirësitë. Largimi nga Juventusi në këtë moment do të më nxirrte frikacak. Nuk e braktis anijen kur rrezikon të mbytet. Jam i inatosur dhe i zhgënjyer, e gjitha ka qenë si përndjekje. Ishte një përpjekje e madhe dhe po e përsëris; nuk kam për çfara ta fajësoj skuadrën.

Djemtë nuk janë robotë. Ne pranojmë gjithçka. Jo si trajner, por si person, them: le të përfundojë kjo histori. Ata lart vendosin se ku duhet të jetë Juve. Më mirë na e thoni, kjo është mungesë respekti për njerëzit që punojnë”.