Transmetuar më 23-05-2023, 09:02

Një tjetër rast racizmi kundër Vinicius në La Liga. Sulmuesi i Real Madridit ishte në shënjestër të disa tifozëve të Valencias në "Mestalla". Një situatë që vetë lojtari e komentoi ashpër përmes rrjeteve sociale dhe gjeti mbështetjen e Ronaldos, "Fenomenit".

Ish-futbollisti i shquar ka shkruar në favor të bashkatdhetarit të tij: "Edhe një herë episod racizmi në La Liga. Dhe sërish kundër Vinicius. Edhe sa mund të vazhdojë kjo gjë kështu? Për sa kohë do të ketë pandëshkueshmëri, do të ketë racizëm.

Është e papranueshme që gjyqtarët, federata e futbollit dhe autoritetet të vazhdojnë të jenë joaktive, ndërsa tifozët duartrokasin në mënyrë kaq absurde racizmin. Mjaft është mjaft. Vinicius, e mbështes edhe unë luftën tënde me racizmin. E mbështes, sepse është lufta jonë”.

Vetë Vinicius kishte shpërthyer menjëherë pas ndeshjes me Valencian, duke shkruar në rrjetet sociale: "Kampionati që dikur mburrej me lojtarë si Ronaldinho, Ronaldo, Cristiano Ronaldo dhe Messi, sot iu përket racistëve.

Një komb i bukur, që më mirëpriti dhe që unë e dua, por që eksporton imazhin e një vendi racist në botë. Më vjen keq për spanjollët që nuk janë dakord, por sot në Brazil, Spanja njihet si një vend i racistëve”.