Transmetuar më 22-05-2023, 15:31

Xavi Hernández, trajneri i Barcelonës, është pozicionuar për rikthimin e mundshëm të Leo Messit në “Camp Nou”, edhe pse nevojiten shumë masa paraprake, sepse nënshkrimi i tij nuk është aspak i mbyllur:

“Është pezull, varet nga shumë gjëra. Nuk mund të them më shumë. Leo është një futbollist spektakolar, jam mik me të, do të shohim nëse mund të ndodhë apo jo. Mund t’ju them se varet shumë nga qëllimi i tij”. Këtë e ka konfirmuar Xavi në konferencën për shtyp të ndeshjes Valladolid-Barça, e cila do të luhet nesër në mbrëmje, prej orës 22:00.

Sigurisht, trajneri i Barcelonës uron me zjarr rikthimin e argjentinasit dhe nuk fshihet për këtë, megjithëse e di kompleksitetin e operacionit. Me pak më shumë se një muaj që ka mbetur para skadimit të kontratës së argjentinasit me PSG, Xavi ia beson gjithçka shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili do të jetë ai që do të vendosë të ardhmen e tij, pasi tashmë e di se ka miratimin e dhomës së zhveshjes dhe bordit drejtues blaugrana.

Duhet kujtuar se situata financiare e klubit katalanas bëhet pengesë për kthimin e kapitenit dhe futbollistit më të madh që ka luajtur ndonjëherë në “Camp Nou”. Barcelona pret “dritën jeshile” nga La Liga për planin e paraqitur mbi planifikimin e ri sportiv që ka si prioritet rikthimin e Messit. Për këtë duhet të kryhen shitje lojtarësh, që të mbushin arkat e klubit katalanas dhe normalizojnë bilancet sipas “fair play financiar”, çka është detyrim për të gjitha klubet.