Transmetuar më 19-05-2023, 22:06

GREQI- Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias foli për burgosjen e Fredi Belerit duke thënë se përderisa nuk dalin prova të pakundërshtueshme duhet që të lirohet. Protothema shkruan se sipas Dendias çështja Beleri përbën një rrezik të madh për marrëdhëniet greko-shqiptare.

“Jemi 2-3 ditë përpara një procedure ku do të vendoset nga ajo që na informojnë këshilltarët tanë ligjorë në Tiranë nëse do t’i zgjatet paraburgimi kryebashkiakut Beleri. Që në fillim e kam përsëritur qëndrimin e kryeministrit Rama. Se nëse nuk ka prova të forta, e gjithë afera është skandaloze. Por përtej kësaj, është edhe çështja e rezervimit. Në shtetin e së drejtës, një kryetar i zgjedhur, për një vepër si ajo për të cilën pretendohet se akuzohet, nuk ndalohet. Sigurisht që do të gjykohet, nuk kemi arsye të ndërhyjmë në drejtësinë e pavarur të një vendi mik, por ndalimi i tij mendoj se i kalon kufijtë e logjikës," tha ai.

Dendias po ashtu ka treguar se imazhi i marrëdhënieve me Shqipërinë ishte imazh i një situate në përmirësim.

“Kam besuar dhe besoj se jemi shumë pranë një marrëveshjeje për t’ia referuar mosmarrëveshjes në Hagë. Ka pasur një përzemërsi personale mes kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe kryeministrit Rama dhe mes meje dhe kryeministrit Rama. Arrestimi i kryebashkiakut Beleri duhet të them është një rrezik i madh për marrëdhëniet greko-shqiptare. Shpresoj që mençuria dhe arsyeja dhe shteti ligjor të mbizotërojë dhe ky rrezik të shmanget. Por nuk mund ta nënvlerësoj problemin që është krijuar papritur ”, tha Dendias.

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar shumë bujë të madhe në vendin tonë dhe në atë fqinj, Greqinë. Pasi u bë ndalimi i tij, reagime ka pasur nga liderët grekë. Në vendin tonë mbërriti edhe zëvendësministri i jashtëm Miltiadis Varvitsiotis, i cili tha se Greqia ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe është e vendosur të ngrejë pengesa për perspektivat e saj të pranimit në BE dhe të bllokojë aksesin në mjetet e financimit evropian. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili kërcënoi se do të bllokonte rrugën e Shqipërisë në BE lidhur me arrestimin, reagoi duke kërkuar lirimin e Belerit.