Transmetuar më 04-05-2023, 19:22

Nënat dhe gratë që janë pjesë e jetës sonë janë gjithmonë duke u marrë me diçka, duke nisur që nga kujdesi për fëmijët dhe shtëpia, pa përfshirë punën që ato bëjnë në sektorin privat apo publik.

Por e keni pyetur ndonjëherë veten se sa kohë nga jeta e tyre u marrin këto aktivitete?

Një studim i fundit i realizuar nga Banka Botërore, ka analizuar së fundmi kohën që shpenzojnë burrat dhe gratë në 19 vende, përkatësisht nga 7 rajone.

Mes tyre ka qënë Shqipëria, Argjentina, Bangladeshi, Kolumbia, Ekuadori, Gana, Guatemala, Irak, Meksikë, Moldavi, Mongoli, Pakistan, Peru, Afrikë e Jugut, Timor–Leste, Turqia, Uruguai, Shtetet e Bashkuara dhe Bregu Perëndimor dhe Gaza.

Studimi ka zbuluar se gratë shqiptare harxhojnë 25 vite të jetës së tyre produktive, duke rritur fëmijët dhe duke kryer punët pa pagesë në familje. Nëse kjo ngarkesë do të ndahej në mënyrë të barabartë me burrin dhe pjesëtaret e tjerët të familjes, gratë do të mundeshin të angazhoheshin në familje dhe të rrisin të ardhurat për familjen.

Duke u angazhuar në punë me pagesë më pak vite se burrat gratë kanë tendencën që në pleqëri të marrin pagesa më të ulëta në formën e pensionit dhe të vuajnë më shumë nga varfëria.

Varfëria është ende një realitet i trishtë për një segment të madh të popullsisë shqiptare, analizon Banka Botërore. Në dekadën e fundit, rritja ekonomike është bërë më pak elastike për zbutjen e varfërisë. Teksa ekonomia rritet, numri i të varfërve nuk bie me të njëjtat ritme.

Në një ekonomi si Shqipëria realiteti mbi varfërinë doli në dukje gjatë pandemisë Covid-19, ku popullata e varfër dhe punonjësit informal mbeten jashtë skemave të mbrojtjes sociale.

Gati gjysma e popullsisë jeton në zonat rurale, ku njerëzit kanë akses më të dobët në shërbime të ndryshme dhe gratë vuajnë më shumë izolimin nga qendrat urbane. Papunësia dhe pasiviteti mbeten të larta, veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë. Një pjesë e madhe e grave nuk marrin pjesë në aktivitete formale ekonomike. Pabarazia është rritur, veçanërisht duke prekur zonat rurale dhe grupet e dobëta të popullsisë.