Transmetuar më 02-05-2023, 23:47

BRUKSEL- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të takimit në Bruksel u shpreh se e ka dëgjuar, ka parë, dhe ka lexuar draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues, ndërsa tha se një draft i tillë ishte i papajtueshëm me kushtetutshmërinë.

Para mediave, shefi i qeverisë Kurti theksoi se ka propozuar një draft, të cilin ai e ka quajtur “draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.

“Në këtë takim pas marrëveshjes për të pagjeturit ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft-statut në gjithsej 67 nene dhe më pas dhamë qëndrimi tonë se një draft i tillë çfarë dëgjuam e lexuam është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj ne do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje. Me këtë rast unë propozova një draft vizion si kryeministër përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10. Gjithsej në 10+1 pika kam propozuar një vizion se si do duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, theskoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sot kemi ardhur te muri”, tha Vuçiç pas takimit që zhvilloi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shkruan REL.

Në rend dite ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e këtij asociacioni.

Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Vuçiq tha se draft-statuti është i papranueshëm për Kosovën, për shkak të Kushtetutës së saj.

“Në vitin 2015, unë dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Msutafa nënshkruam parimet për Asociacionin dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha parimet, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha presidenti serb.

Kurti, dhe Vuçiç miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë një takimi në Bruksel.

Liderët e dy shteteve, Kurti-Vuçiç, miratuan sot Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë një takimi në Bruksel. Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99