Transmetuar më 23-04-2023, 21:23

KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç. Sipas Armend Mujës, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 60 përqind të votave në zgjedhjet për kryetarë në katër komunat në veri.

Ai pretendoi se në Mitrovicë të Veriut kanë fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq në Leposaviç mbi 70 përqind. Por sipas tij garë më e ngushtë është në Zubin Potok. Gjithashtu, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, tha se ai do të jetë kryetari i ri i kësaj komune.

“Do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. U bëj apel të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionin e komunës dhe në mua si kryetar komune,”- tha ai për mediat.

Por shtoi se do të bashkëpunojë me të gjitha komunitetet, në komunën e banuar me shumicë serbe. Edhe pse këto zgjedhje u bojkotuan nga Lista Serbe.