Transmetuar më 23-04-2023, 08:16

KROACI- Ekzekutohet nga roja e një klubi nate kreu i grupit kriminal në Zagreb. Tomislav Sabljo, 41 vjeç, një person i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge është ekzekutuar me armë zjarri nga roja i një klubi nate. Mediat vendase shkruajnë se Sabljo u përlesh në një klub nate në rrugën Florijana Andrašeca në Trešnjeveca, Zagreb. dhe në mes të konfliktit ndërhyri roja që qëlloi me amrë zjarri. Një nga plumbat kapi 41-vjeçarin që u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Sabljo është arrestuar në vitin 2019 dhe akuzohej si kreu i një grupi kriminal që kontrabandonte 15.7 ton marihuanë në Kroaci, si dhe për organizimin e djegies së makinave dhe përgatitjen e sulmeve për eliminimin e kundërshtarëve të tij, të njohur si klani ‘Dinamo’.

Tomislav Sabljo, Tomislav Suçiq, Gjorgje Vuletiç dhe 17 persona të tjerë u akuzuan si të lidhur me zinxhirin e kontrabandës së drogës nga Shqipëria dhe Mali i Zi, përmes Bosnjës dhe Hercegovinës në Kroaci.

Marihuana fillimisht ruhej afër Ljubuški-t në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më pas transportohej në Kroaci me ndihmën e një oficeri të policisë kufitare. Droga më pas u shitej rishitësve të tjerë dhe në këtë mënyrë shkonte tek qytetarët.