Transmetuar më 27-11-2022, 14:31

Kampionati Botëror në Katar po zhvillohet në temperatura të larta. Në rrugët e kryeqytetit Doha kalojnë shumë autobusë shumëngjyrësh plot me tifozë, shumica prej të cilëve janë automjete me energji të re, prodhuar në Kinë.

"Autobusët e gjelbër" kinezë janë bërë forca kryesore për garantimin e shërbimeve të transportit gjatë Botërorit të Katarit.

Ky është një tjetër shembull tipik i njohjes ndërkombëtare të prodhimeve kineze.

Wei Yingpeng është një inxhinier nga kompania kineze e prodhimit të automjeteve në Katar. Në vitin 2020, autobusi i prodhuar nga kjo kompani dha ofertën më të mirë për projektin e automjeteve të shërbimit për Botërorin e Katarit.

Organizatorët importuan afro 1.500 autobusë kinezë, ku përfshihen edhe 888 automjete njëqind për qind elektrikë, të cilat zënë afro 1/4 e makinave të shërbimit gjatë Kupës së Botës Katar 2022.

Këto autobusë po përdoren kryesisht në sistemin e transportit publik të Dohas, për të transportuar tifozët, zyrtarët e FIFA-s dhe reporterët e medias nga e gjithë bota. Wei Yingpeng dhe kolegët e tij përgjigjen për mirëmbajtjen dhe inspektimin e këtyre automjeteve, që nga verifikimi i defekteve, pjesët e këmbimit dhe riparimi i tyre.

Wei Yingpeng tregon: "Temperaturat e larta në Katar janë një sfidë e vërtetë për bateritë e automjeteve elektrike. Çdo ditë, bëj monitorimin në kohë reale për energjinë e baterive dhe konsumin e fuqisë të 888 autobusëve elektrikë.

Ne kryejmë gjithashtu edhe kontrollin e përgjithshëm të automjeteve që janë të shpërndara në zona të ndryshme, si sistemi i ajrit të kondicionuar, i ndriçimit dhe pajisjet e sigurisë, për të garantuar funksionimin efikas dhe komod të këtyre automjeteve gjatë Botërorit të Katarit."

Katari është i pasur me burime nafte dhe gazi dhe para se autobusët elektrikë kinezë të futeshin në këtë vend, nuk kishte automjete të tilla.

Për të përmbushur premtimin e një Botërori "neutral ndaj karbonit", pjesë edhe e strategjisë për transformimin strukturor ekonomik, Katari po promovon zhvillimin e sektorit të energjisë së re dhe transportit publik të gjelbër.

Duke qenë se Kina ka epërsi për autobusët me energji të re, kompania kineze është bërë furnizuesi i vetëm i këtyre automjeteve në Katar.

Për shkak të temperaturave të larta dhe stuhive të rërës, kompania kineze projektoi një model të veçantë që u përshtatet kushteve specifike të Katarit për të rritur aftësinë e qarkullimit të autobusëve elektrikë dhe rritur sigurinë dhe jetëgjatësinë e baterive.

Përveç këtyre, kompanitë kineze të automjeteve po bashkëpunojnë ngushtë me palën e Katarit, duke krijuar një stabiliment të ndërtimit të automjeteve elektrike në zonën e tregtisë së lirë të Katarit.

Zv/menaxheri i shitjes së makinave kineze jashtë vendit, Pengxu thotë: "Fabrika e autobusëve me energji elektrike do të vihet në funksionim në vitin 2023. Sipas planit, ky stabiliment do t’i ofrojë Katarit 500-1.000 automjete çdo vit.

Në të njëjtën kohë, do të rritet edhe bashkëpunimi mes universiteteve të Kinës dhe Katarit, për të përgatitur profesionistët e ardhshëm të energjisë së re në Katar dhe transformimin e transportit publik të këtij vendi."