Transmetuar më 29-09-2022, 12:35

Paul Pogba po kthehet dhe ai dëshiron ta bëjë të ditur këtë. I dëmtuar në korrik, ai zgjodhi (për fat të keq) të mos operohej menjëherë. Zgjedhje e gabuar në një moment të vështirë. Ndërhyrja kirurgjikale erdhi më 5 shtator dhe që atëherë ka filluar rehabilitimi.

Francezi synon ndeshjen kundër Benfica më 25 tetor. Dhe fillon të tregojë shenja rikuperimi para së gjithash me fjalë. Në numrin e radhës të “GQ Italia”, ai shpjegon zgjedhjen për t’u rikthyer te Juve, rikuperimin nga operacioni, kombëtaren, dëshirën për t’u fokusuar vetëm te futbolli:

“Në Premier League për momentin ka potencial të pashoq ekonomik, është më e lehtë për klubet të blejnë lojtarët që duan sesa në Itali. Mendoj se ky është ndryshimi i vërtetë. Por nëse më duhet t’i përmbahem futbollit, futbolli italian ka qenë gjithmonë një nga më të mirët në botë për mua.

Unë them se nuk ka shumë dallim mes të luajturit për Manchester United dhe Juventusit. Kur je në një klub të madh, je në një klub të madh. Dhe Juve ka qenë gjithmonë klubi më i madh në Itali.

Që kur kam filluar të luaj në një nivel të lartë shumë i ri, jam mësuar t’i menaxhoj kritikat. Është pjesë e lojës. Si sportistë jetojmë me lëvdata dhe kritika çdo javë, duke e ditur se duhet të ruajmë një ekuilibër dhe përqendrim në punën tonë.

Ishte koha e duhur për t’u kthyer këtu. Tri vitet e fundit në Manchester, i prekur edhe nga dëmtimet, nuk kanë shkuar siç kam dashur, nuk është mister. Juve ka dy vite pa e fituar titullin, ndaj ishte një sfidë e mirë për të dy ne. Dhe ndoshta ishte koha e duhur për t’u takuar përsëri dhe për të provuar të rimarrim vendin që na takon në Serie A, mua dhe Juventusit.

Dhe mbi të gjitha për të fituar sërish. Herën e parë këtu isha më i ri dhe nuk kisha përvojën që kam tani. Jam rritur në jetën personale, kam dy fëmijë, gruan dhe gjithashtu si futbollist. Kam fituar Kupën e Botës me Francën, Ligën e Evropës me Manchester United, kam luajtur me lojtarë të mëdhenj dhe në një ekip të madh.

Mësova kaq shumë atje, ishte krejtësisht ndryshe nga përvoja ime e mëparshme. Më duhej të merrja më shumë përgjegjësi sesa kisha më pak këtu te Juventusi kur isha i ri dhe kisha lojtarë me përvojë pranë meje. Tani shikoj veten dhe mendoj se jam bërë si këta lojtarë, si Pirlo, si Buffon, si Chiellini. Tani më takon mua të bëj atë që bënë ata për Juventusin”.

Pogba foli edhe për Allegrin dhe tifozët e Juventusit: “Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të fortë me trajnerin. Lidhje e bukur, e sinqertë. Ai më njeh dhe më shtynte gjithmonë kur ishim këtu bashkë. Edhe kur isha në Manchester mbajtëm kontakte dhe folëm shumë.

Kur u largova, tifozët bardhezinj ishin shumë mirënjohës për vitet së bashku. Isha i ri dhe me të vërtetë gjithmonë më shtynin në stadium, ata ishin gjithmonë pas meje, gjithmonë e kam ndjerë dashurinë e këtyre tifozëve, kjo është e vërteta. Nuk kam pasur kurrë një mbështetje të tillë të madhe, as në Manchester”.