Transmetuar më 27-09-2022, 08:52

Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli ishte i pranishëm në çeljen e festimeve të “Javës së Kulturës Kineze”, organizuar nga Ambasada Kineze në Tiranë.

Kreu i KOKSH-it, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Kina e ka mahnitur mes dy vizitave “Pekin 2008” si shef misioni dhe “Pekin 2022” si president i KOKSH-it, si dhe vijon t’i lërë mbresa të jashtëzakonshme me filozofinë e të jetuarit, kulturën, artin, traditat, kuzhinën dhe sportin.

Ylli falenderoi ambasadorin Ding Zhou për ftesën si dhe i bëri thirrje publikut të praktikojë “Taiji" kineze, artin marcial tradicional kinez, pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Festimet do të zgjasin një javë dhe përfshijnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Aktivitetet e Javës Kulturore Kineze nisën dje me ekspozitën historike fotografike, e cila u çel në ora 10:00, në Muzeun Historik Kombëtar, dhe që do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë javës së kulturës kineze.

Pasdite, aktivitetet vijuan në sheshin “Italia” me një performancë “Taiji”, art marcial tradicional kinez. Java do të vazhdojë me aktivitete kulturore, si ai i datës 29 shtator, ku artistët kinezë do të performojnë në sallën e Katedrales Ortodokse, së bashku me artistë të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve.

Ndërsa në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet Festivali i Ushqimit dhe ai Kulturës Kineze. Të dyja aktivitetet, shumë interesante për t’u ndjekur, janë parashikuar të zhvillohen në datën 30 shtator, duke filluar me gatimet kineze, rreth orës 17:30, e duke vazhduar me Festivalin e Kulturës, pas orës 19:00.

Në sheshin “Skënderbej” do të shpaloset një pjesë e kulinarisë dhe kulturës kineze, aq e famshme dhe e përhapur në të gjithë botën.