Transmetuar më 26-09-2022, 19:13

TIRANË- PD nis përgatitjet për zgjedhjet lokale. Zbardhet dokumenti sesi do të mbahen të ashtuquajturat "Primare", që përmban rregullat mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend vitin e ardhshëm. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën.

"Në rast se asnjë nga kandidatet nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short. Shorti zhvillohet nga KOKOE brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit. Votimet për balotazhin zhvillohen 7 ditë pas datës së primareve dhe konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues kandidati i cili merr numrin më të lartë të votave të vlefshme,"-shkruhet ndër të tjera.

Megjithatë është e paqartë sesi do të ndahen kandidatët me aleatët e Partisë së Lirisë, edhe pse Ilir Meta ka bërë me dije publikisht se do të pranonte që nëse ka mbështetje më shumë se emrat e tij, do të pranonte që të gjithë kandidatët të ishin demokratë. Duke theksuar se e rëndësishme për të është ndëshkimi i kryeministrit Edi Rama.