Transmetuar më 19-09-2022, 23:09

Një protestë e re studentore ka lindur dhe është bazuar në dukurinë faktike të shtrenjtimit të pandalshëm të jetës përmes çmimeve të rritura në produkte e shërbime që po shkaktojnë vuajtje tek shumë kategori qytetarësh.

Mes tyre janë dhe studentët që pohojnë se po ndeshen gjithë kohës me mori pagesash të rritura kudo, por nuk po shohin asgjë prej shtetit që mbahet me taksat që u merr të gjithëve.

Një grup studentësh kanë dorëzuar një letër në Kryeministri dhe Ministrinë e Arsimit ku informojnë se ka nisur një peticion për mbështetjen e tyre në një kohë që çmimet janë bërë të papërballueshme.

Ata kërkojnë që qeveria t’i mbështesë me 100 euro në muaj, në një kohë kur çmimet e qirasë dhe ushqimeve të shportës janë rritur ndjeshëm.

Por pse vjen kërkesa nga 6 mijë studentë, numër që rritet çdo minutë? Në të ashtuquajturat paketa të Rezistencës Sociale, qeveria nuk përfshiu kurrë studentët, ndryshe nga vende të tjera që trajtojnë me përkushtim të ardhmen e kombit.

Genti është 21 vjeç dhe vazhdon studimet e larta në Tiranë. Në bisedë me noa.al ai ndalet në një fakt interesant. "Shumë shokë më thonin shpesh, mbylle gojën se nuk je në punë e prandaj nuk paguan taksa e nuk je ti taksapagues por prindërit e tu. Ata janë krejt gabim. Ne paguajmë taksa në çdo moment. Kur pimë një ujë a kafe, 20 për qind të vlerës e merr shteti si TVSH, pa folur për taksat e tjera që ua merr bizneseve dhe këto na ua marrin ne si klientë. Kudo që shkojmë paguajmë taksa dhe tani, po bëhet e padurueshme që çdo gjë është shtrenjtuar kaq shumë dhe ne kemi çdo ditë e më pak lekë në duar". /noa.al