Transmetuar më 19-09-2022, 09:44

MAQEDONIA E VERIUT- Një vdekje enigmatike u raportua dy ditë më parë nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut. 28 vjeçari t shqiptar, Gent Asani u gjet i pajetë në rrugën Goce Dellçev.

Sipas informatave deri më tani jo zyrtare, të siguruara nga policia dhe prokuroria, ka dyshime se Asani ka kryer vetëvrasje, pasi në afërsi të trupit të pajetë është gjetur arma nga e cila është shkrepur plumbi. Sipas ekspertëve shkrepje nga afërsia le hapësirë për dyshime që vrasja të jetë bërë nga vetë viktima, por këtë duhet ta vëretojnë hetimet e organeve të posaçme.

“Prokurori kujdestar i Prokurorisë themelore të Gostivarit, mbrëmë ka kryer hetime në vendin e ngjarjes, në afërsi të shtëpisë në rrugën “Goce Dellçev” në Gostivar, ku është gjetur trupi i pajetë i një personi 28 vjeçar me plagë hyrëse dhe dalëse në kokë. I ndjeri ishte dërguar në spital nga i ati i tij ku edhe është konstatuar vdekja. Ndaj trupit të pajetë do të behet autopsi. Gjatë hetimit në vendin e ngjarjes, është gjetur arma dhe është marrë për analizë të mëtejme. Me urdhër të prokurorit publik, janë siguruar edhe video materiale nga kamerat e objekteve për rreth”, thonë nga prokuroria.

Sipas një dëshmitari që jetonte në afërsi të shtëpisë së viktimës, rastin në fillim e ka vërejtur e ëma e viktimës, ndërsa më vonë, prindi i tij bashkë me disa fqinjë, e kanë dërguar 28 vjeçarin në spitalin e Gostivarit, por për fat të keq nuk ka arritur të iu mbijetojë plagës. Fqinjët që jetonin në afërsi të shtëpisë së viktimës, thonë se personi në fjalë ka qenë shumë i dashur dhe i mirë me rrethin, andaj shprehen të trishtuar për vdekjen e tij.