Transmetuar më 05-09-2022, 08:18

Kosovë- Qeveria e Kosovës ka vendosur të mbështesë financiarisht kategori të ndryshme për të ndihmuar në përballimin e krizës.

Në paketën e re pensionistët do të mbështeten me 100 euro shtesë, zyrtarët publikë do të marrin shtesë prej 50 eurove, kurse punëtorët në ndërmarrje publike do të marrin shumën prej 100 eurove. 100 euro janë planifikuar edhe për studentët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media prezantoi pakon e re financiare me të cilën ka thënë se Qeveria po mundohet ti ndihmojë qytetarët për të përballuar më lehtë inflacionin. Ai ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. Si qeveri mbetemi të përkushtuar për tu dalë në krah qytetarëve sa herë kjo është e nevojshme. Në linjë me këtë synim tonin sot po prezantojmë një pako të re që ka për synim mbështetjen e qytetarëve për tu përballur me krizën inflacionare”.

Ai shtoi se përmes pakos për përballjen me inflacion do të ndahen rreth 150 milionë euro.

“Në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballjen me inflacion, ku përmes masës së subvencionimit të atyre që kursejnë energji, do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”.

Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë.