Transmetuar më 01-09-2022, 07:34

Beograd- Nis sot zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për reciprocitetin e dokumentave për hyrje-daljet.

Kjo marrëveshje është arritur më 27 gusht, me ndërmjetësimin e emisarit special për dialog të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Marrëveshja mundëson që qytetarët e te dy vendeve të mund të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime. Deri tani situata raportohet të jetë e qetë, dhe pa ndonjë incident.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla u shpreh se, nëse Serbia nuk e ndërpret fletë hyrje-daljen për qytetarët e vendit të tij, atëherë edhe Kosova është e gatshme që t’i vë në funksion këto fletë hyrje-dalje për shtetasit serbë.

“Këtu është vetëm një opsion, por normalisht do të ketë reagim nga ana jonë nëse ai opsion nuk vëhet në funksion. D.m.th largimi i këtyre fletë hyrjeve daljvee, sipas informacioneve që kemi, në orën 24:00, Serbia do t’i ndërpresë lëshimin e këtyre fletë- hyrjeve daljeve. Nëse ajo nuk i ndërpret, natyrisht që ne jemi të gatshëm të vendosim flet hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë”, tha Svecla në RTK.

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve. Këtë e bëri të ditur shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell. Shefi i diplomacisë evropiane përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për këtë marrëveshje, e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Por marrëveshja e arritur më 27 gusht nuk ishte e re. Thjesht ishte një zotim i të dyja palëve se do të respektoheshin marrëveshjet e vitit 2011 për lëvizje të Lirë, e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëviznin nga njëri shtet në tjetrin vetëm me kartat e identitetit. Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte, e po ashtu edhe Kosova.