Transmetuar më 13-08-2022, 08:40

Makinat Tesla me pilot automatik, ditët e fundit po hetohen në SHBA. Edhe pse marka gëzon një reputacion të shkëlqyer, fakti mbetet se ka disa episode të pakëndshme në funksionimin e saj.

Në fakt, duket se automjetet e pajisura me këtë sistem kohët e fundit nuk mund t’i identifikojnë disa makina, duke përfshirë kryesisht motoçikletat. Ky dyshim buron nga dy incidente në Amerikë, ndaj nisën hetimet.

Qeveria federale po e studion rastin dhe nga ajo që raporton “Associated Press”, ekziston dyshimi nëse Tesla mund t’i identifikojë vërtet motoçikletat dhe motoçiklistët, edhe gjatë natës.

Aksidentet e përmendura më sipër kanë ndodhur të dyja në korrik. I pari në Riverside, Kaliforni. Makina që shkaktoi aksidentin me pasojë vdekjen e një personi ishte model Y, e cila goditi motoçikletën.

Aksidenti tjetër në Utah, pak javë më vonë kishte si protagonist model 3. Gjithashtu, edhe në këtë rast aksidenti shkaktoi vdekjen e një personi. Ata që drejtonin Tesla, më pas konfirmuan se në atë kohë ishte vendosur drejtimi automatik, ndërsa për aksidentin e parë dinamika nuk dihet mirë.

NHTSA mendon se në atë rast Tesla po drejtohej me pilot automatik. Dyshimi është aty, duke marrë parasysh këto dy episode. Mendohet se sistemi i zbulimit të makinave të Tesla ndonjëherë nuk arrin të identifikojë motoçikletat gjatë natës.

Por kjo nuk është e gjitha, sepse Zyra e Hetimit të Defekteve të NHTSA po investigon edhe 11 incidente të tjera që kanë si "problem" pilotin automatik të Tesla, duke mos i njohur disa automjete.

Arsyeja supozohej të qëndronte në faktin se sensori i radarit që shikonte përpara ishte hequr. Ne nuk kemi një përgjigje të caktuar për këto pyetje, dinamika në lidhje me këto ngjarje është ende në studim dhe për këtë arsye nuk është dhënë një përgjigje zyrtare.