Transmetuar më 20-07-2022, 17:36

Maqedonia e Verut- Biznesmeni shqiptar, Jusuf Enuzi (Isuf Koka), i cili në protestat e 6 korrikut në Shkup qëlloi me armë për të trembur turmën që po i sulmonte biznesin, është dënuar me 4 muaj burg.

Lajmin e konfirmon Gjykata Penale e Shkupit nga ku njoftojnë se Jusuf Enuzit i është caktuar edhe arresti shtëpiak deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Enuzi u akuzuar për veprën penale “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm”.

Koka gjuajti me armë zjarri në ajër, si një formë paralajmërimi për protestuesit maqedonas që ishin afruar te prona e tij dhe donin ta dëmtonin atë. Koka u ndje i rrezikuar për veten dhe pronën e tij që është në afërsi të bustit të Skënderbeut në Shkup dhe për shkak të reagimit të vonuar të policisë, qëlloi me armë.

Pasi ai gjuajti disa herë në ajër protestuesit u zbrapsën nga hoteli i tij, ndërkohë raportohet se kjo ishte përballja e dytë e tij me ta pasi më herët ata kishin dëmtuar makinat e klientëve dhe kishin hedhur sende të forta drejt hotelit.