Transmetuar më 08-07-2022, 18:28

MAQEDONI E VERIUT– Lihet në paraburgin shqiptari që mbrojti pronën dhe Skënderbeun gjatë protestave në Shkup.

Gjykata penale e Shkupit njoftoi se ka lënë tetë ditë paraburgim për Isuf Kokën, i cili gjuajti me pistoletë në ajër, siç thanë të afërm të tij, për të mbrojtur pronën private te sheshi “Skënderbeu” në Shkup nga protesutesit.

Koka gjuajti me armë zjarri në ajër, si një formë paralajmërimi për protestuesit maqedonas që ishin afruar te prona e tij dhe donin ta dëmtonin atë. Koka u ndje i rrezikuar për veten dhe pronën e tij që është në afërsi të bustit të Skënderbeut në Shkup dhe për shkak të reagimit të vonuar të policisë, qëlloi me armë.

Pasi ai gjuajti disa herë në ajër protestuesit u zbrapsën nga hoteli i tij, ndërkohë raportohet se kjo ishte përballja e dytë e tij me ta pasi më herët ata kishin dëmtuar makinat e klientëve dhe kishin hedhur sende të forta drejt hotelit.

Ndërkohë, dita e pestë e protestës ka përfunduar me akuza të rënda mes partive politike. LSDM dhe BDI akuzuan se incidenti tek sheshi “Skenderbeu” ishte një skenar nga koalicioni VMRO-ASH-Levica për të tensionuar situatën dhe për të nxitur tensione ndëretnike. Ndërkohë, nga ASH dhe Lëvizja BESA kanë theksuar se skenaret e tilla pikërisht po inskenohen nga ana e pushtetit, nga koalicioni LSDM dhe BDI.